Shënimet estetike shqiptare të viteve 1930: “Mbi natyrë t’Artit”!

Shënimet estetike shqiptare të viteve 1930: “Mbi natyrë t’Artit”!

Nga: Ermir Hoxha 

Në vitet 1920-30, Shqipëria më shumë se kurrë dukej sikur nxitonte të  fitonte kohën e humbur nën sundimin e gjatë osman. Në pararojë të  kësaj, u vu një numër i madh intelektualësh, të cilët pas fitimit të  pavarësisë dhe fundit të Luftës së Parë Botërore, më në fund mund të  aspironin për një zhvillim real në vendin e tyre. Mendime të konsoliduar  në rryma e grupime të ndryshme, shfrytëzonin si arenë promovimi, apo  debati, shtypin e përditshëm e atë periodik. Të konsoliduar në rryma të  veçanta, si “Neoshqiptarizma”, ajo e “Të rinjve”, “Të vjetërve”,  “Diktaturës së ndritur” apo “Mendimi klerikal”, ato mund të ndahen  kryesisht nga dy drejtime; konservatore dhe përparimtare, ndërsa  polemikat e vazhdueshme mes tyre sollën një përplasje të ashpër  ideologjike, që do të zgjaste deri në pushtimin fashist.

Paralelisht me ta, në të njëjtën hapësirë mediatike gjetën vend edhe  disa gjykime estetike mbi artin. Ato nisën të propozoheshin fillimisht  nga Odhise Paskali, në revistën “Studenti shqiptar” në vitin 1929. Ky  botim, sipas tij kishte për qëllim: “…përhapjen e dashurisë për  artin e për letratyrën kombëtare; (ndërsa) bashkëpunonte për lartësimin  intelektual e për stërvitjen e ndjenjave estetike të popullit t’onë.”

Në një nga artikujt e shumtë dedikuar artit, ai përqendrohet në  përcaktimin e objektit artistik dhe nocionit të artit në vetvete. Mbi  natyrën e tij ai shprehet se: “Kënaqsia pa mërzitje, prehja nga  brengat e nga shëmtimet e jetës së përditshme, sedra, shpërblimi,  lumturia me të vërtetë njerzore… maja m’e lartë ku arriti shpirti i  njeriut ësht arti.” Për të, arti nuk rrëfehet me fjalë a  përcaktime. Ashtu si dashuria a bukuria, magjia e tij nuk mund të  përcaktohet: ai thjesht ndjehet. Kështu ai vazhdon: “Arti është një  mister i jetës. Dhe ndjek ligjet e misterit: ka besnikët për të cilët  është një tempull i shenjtë i një feje, po ka dhe parazitët që e  thëthijnë, dhe ata që e bëjnë treg të zileve e të interesave të  poshtra.”

Në këndvështrimin e Paskalit, duket sikur arti ka dy dimensione, atë  hyjnor dhe atë tokësor. Në të parin, ai është magjik, i pakapshëm,  ndërsa në të dytin, mjet i manipulueshëm nga matrapazët. Për të,  gjithashtu arti duhet të superojë kohën që e ka prodhuar: “Të  qëndrojë më këmbë përpara gjykimit të çdo kohe”, […] “Arti nuk ësht  imitim i natyrës, po është krijim i cili plotëson dhe sipëron natyrën.  Imitimi i natyrës i përngjan artit, si arti i përngjan natyrës…”

Paskali, në përsiatjen e tij mbi artin, mundohet t’i japë një vend dhe kritikut. Ai shprehet se: “Çfaqja  e kuptimit të plotë, edhe jo të plotë të artit, është kritikë e artit.  Kritika ska ndonjë qëllim, po ka dobi kur ndihmon për të përhapur  kuptimin e plotë të artit; përndryshe ësht e kotë ose e dëmshme”, ndërsa mbi marrëdhënien që duhet të ketë artisti dhe kritiku, Paskali shprehet: “Kritikës  i përgjigjet me kritikë a me heshtje. Kush kritikut i difton veprën,  duke e ftuar të bëjë një më të mirë, provon sheshit që nuk ka haber as  nga kritika as nga arti.”

Pas studimeve në Torino, Paskali pozicionohet në ambientin kulturor  shqiptar me vendosmërinë dhe pasionin e një intelektuali të ri. Në vitin  1930 ai merr shkas nga një ekspozitë me akularele e artistit Qenan  Meserea për të renditur disa “parime”, siç shprehet ai, pa të cilat nuk  është mundur të shkruhet mbi artin figurativ në gjuhën tonë. Paskali  numëron 10 syresh:

“1. Arti është një realitet shpirtnor i cili merr forma të  jashtme të panumurta që për lehtësi përmbledhim me kriter fizik në  poezi, muzikë, pikturë, skulpturë, arkitekturë dhe të afërme me këtë. 2.  Ata që i japin formë të jashme këtij realiteti shpirtnor të përbashkët  janë të zgjedhur prej natyrës dhe quhen artistë. 3. Artisti për arsye  morale a fizike, ngahera nuk mund të shtjerë në formën e jashtme  realitetin shpirtnor, dhe ahere forma e jashtme goditet pa art, me fjalë  të tjera, vepra është pa shpirt. 4. Për ta çquar veprën me art nga ajo  pa art, ose më mirë, për të shijuar veprën artistike duhen ndjenja dhe  kulturë. 5. Si për të krijuar art është një privilegj i natyrës i  dhuruar relativisht të pakëve, edhe për të shijuar artin, nuk është e  nuk duhet të jetë një gjë e përgjithshme. 6. Po të stërvitim ndjenjat e  të ushqejmë trurin do lehtësojmë përhapjen e shijes për art d.m.th. do i  sjellim dobi Atdheut se i dihet prej të gjithve që arti udhëheq  shvillimin e jetës shoqnore dhe difton gradën e qytetërimit. 7. Ndjenjat  stërviten duke pasur familiarizim me artin. Pra nevoja e një propagande  artistike. 8. Përveç ndjenjave dhe kulturës, na ndihmojnë, për të çquar  veprën me art nga ajo pa art, disa elemente që janë brenda më çdo vepre  goditur. Janë elemente që çfaqen në mënyrë të njëllojmë në të gjitha  veprat e një artisti, është, me një fjalë, stili që na difton  sinqeritetin ndjesie dhe çfaqjeje t’artistit; janë dhe elementet  artistike të përbashkëta në rrethin e çdo forme s’artit; p.sh. në  pikturë elementet artistike janë: vizatimi, ngjyra, drita, hieja me  ligjet që i rregullojnë veçanërisht. 9. Subjekti i përfaqsuar ndryshon  më çdo veprë arti, nuk është i qëndrueshëm, dhe mund të influencojë  ndjenjat tona edonike morale, shoqënore, prandaj nuk mund të jetë  element i saktë për të gjykuar artin, kurse stili është një element  artistik, personal i qëndrueshëm. 10. Disa herë kritiku vështron më  thellë se artisti, dhe kësisoj ngjan që zbulohet një kryevepër ku  artisti s’jepte rëndësi, ose poshtërohet një idol që artisti e quante  art të vërtetë”, ndërsa në vazhdim të artikullit artisti mundohet  të evidentojë elementin e ngjyrës dhe hijes në akuarelet e realizuara  nga piktori Qenea Meserea.

Paskali, ndër të paktit artistë që kishin studiuar teori arti në  perëndim, gjithsesi nuk ishte i vetmi personalitet që mundohet të sjellë  në vëmendjen e autoriteteve të kohës rëndësinë e artit dhe rolin që ai  duhet të luajë në emancipimin e shoqërisë. Një vit më pas (1931)  sipërmarrja e tij pasohet nga një sprovë tjetër në artikullin “Arti në dekadencë” botuar nën pseudonimin Arti. Ai shkruan se:  “Me hidhërim të math shohim hien e murme të mërzisë që ka mbuluar artin  në Shqipëri dhe dëgjojmë psherëtimat e thekshme të zemrave memece, që  dinë t’a çmojnë”, e më tëj ai shton: “Me anën e artit bota nuk  ka për qëllim të nxjerr në shesh kostumet, zakonet e cilësirat e një  populli, që i përmbjanë studimet historike e sociologjike; përkundrazi,  arti shpreh virtutat, që çmojnë një popull përmes kohrave dhe u jep  brezave pas ardhës shembullin e gjallë të shvillimit e të qytetërimit…  dhe arti kjo lule e qytetërimit që mbin kudo, nuk mund të zhvillohet pa  pasur ndjenja dhe kulturë”.

Duhet kujtuar se, shtypi i kohës financohej pjesërisht nga shteti, i  cili në këto vite financonte njëkohësisht aktivitete e institucione  artistike, apo edhe ngritjen e një serie monumentesh. Në ato të pakta  ngjarje, veprat e tyre pëshkruhen nga ngjyrime të forta patriotike,  ndërsa duartrokiten fort edhe kur bëhet fjalë për vepra a aktivitete  minore. Një ekspozitë a monument sado i vogël, shoqërohej nga një valë  euforie në gjithë gazetat e kohës, që evidentonin eventin në çdo element  të tijin si një shenjë jete për kulturën kombtare. Këto artikuj  mbylleshin shpesh me thirrje për një art gjithnjë e më shumë protagonist  e në lartësinë e duhur, ndërsa evokonin ethshëm për një ngritje  shpirtërore kombëtare.

Një kontribut në këtë drejtim, në vitin 1932 jep dhe F. Llagami, një tjetër intelektual i kohës, i cili tek “Gjëndja e përgjithshme e artit”, shkruan se: “Me  fjalë të tjera sot për sot jemi në shekullin e materjalizmit, prandaj  dhe shkenca po përparon shumë kurse arti jo dhe aq. Piktura dhe  skulptura kanë humbë tokë; janë në gjëndje të ngatërrueme, ma keqë se  anarshia. Për këtë nuk marrim parasysh ndonjë pikturë a skulpturë të  vetme të ndonji artisti me të vërtetë të zotin dhe i denjë të mbajë  emnin artist; por marrim në bisedim të përgjithshëm gjendjen e  vajtushme, si mundemi me thanë të pikturës dhe skulpturës së sotme:  asnjë vepër, me kuptimin e plotë të fjalës, që të ketë gjallni shije e  shpirtë, për tu quejt mandje kryevepër”… e më pas shton: “Asht  detyra e djelmënis që të kujdeset me i dhanë artit vendin e merituem, me  e përkrahë dhe ndihmuem. Nuk asht illuzion që edhe na Shqiptarët, po  t’mos na mungojë vullneti për punë, të krijojmë, dal nga dalë artin  Shqiptar, i cili ka me i lënë brezave t’ardhëshëm kujtimin e jonë.” Për Llagamin, përveç detyrës që i ngarkon rinisë të ngrejë artin, sipas  tij në nivel të mjerueshëm, ai e sheh artin e kohës dhe si një  trashgimi për brezat e ardhshëm.

Po në fillim të viteve ’30, duket se At Gjergj Fishta ka në dorë një  nga sipërmarrjet më të rëndësishme personale estetike të kuptimit mbi  artin. Tek “Hylli i Dritës”, revista që ai vetë drejtonte, në rubrikën “Shënime estetike”, shfaqet studimi “Mbi natyrë t’Artit” (1933) i cili përbën një nga të paktat orvatje serioze estetike. Me modesti, Fishta, pas një hyrje të shkurtër shkruan: “E  me u kallxue të drejtën, do të më vite fort mirë, po mund të shkruem  gja mbi kët themë, qi mos të jetë krejt të dejë për ‘kosh’; pse kështu  kishim me u diftue kundërshtarve të Shqypnis, se – pa pasë nevojë me  kenë turq a slav a grek – me gjuhë shqype na sod po mund të zhvillojm ma  të vshtirat çashtje të Filozofis.”

Fillimisht Fishta e nis humultimin e tij mbi konceptin e të bukurës,  se si ajo i përket sendeve, ndërsa mundohet të bëjë dallimin midis  sendeve të realizuara nga dora e njeriut dhe ato që ndodhen mbi tokë. Ja  si shprehet ai: “… ‘Ah! Sa bukur!’ Tri fjalë të vetme janë  kto; ndër kto tri fjalë asht permledhë e gjithë natyra e Artit:  bukurija. Bukurija, po asht njajo qi përban Artin, sa qi pa të Art nuk  ka – as në Shqypni, ku nëpër dekretet ministrore po mund u krijojshin  artistat, po, por Arti jo.” Mbi natyrën e sendeve ai flet për  qëllimin e tyre; pra një vepër arti, për të është një send, por që mbart  vlera të qëllimishme artistike: “Edhe kështu bukurija e sendeve të  rruzullimit nuk mund të përbajë një vepër artistike të marrë në kuptimin  e vërtetë të fjalës… Bukurija e Artit, pra, do kërkue ndër forma  prototype të sendeve, e jo nder sende t’individualizueme në natyrë të  krijueme mbrenda rruzullimit.” Por, Fishta shton se nëpërmjet sendit dhe qëllimit të tij “duhet  të ketë një rrelacion…: Pse ndryshe sendet e individualizueme  n’ekzistencë a se në natyrë nuk mund do t’u kapshin në një mndyrë të  domosdoshme më qellim të vet të natyrshëm”. Sipas tij, ky relacion përmblidhet në: “Edhe  kshtu shifet kjartas, se tri janë permvehtsit e para e kensore të  sendit: pushtetsija në të kenun, ardhmenija në të ndollun, e mirsija në  veprim.” Fishta rinis diskutimin e tij, mbi natyrën e vërtetë të artit,  sepse vetëm bukurija është si thotë ai: “… veç se një dritë, qi burron  prej harmonijet, qi kto tri permvetsi të sendeve kan ndërmjet vedit.”

Për realizimin e një vepre artistike Fishta thotë se ndikojnë disa faktorë, të cilët janë: “Artisti  – geni; vendi – ambjenti; koha – kultura. Geni sendergjon iden;  ambjenti trajton shijen estetike; kultura përban teknikën a se stilin e  veprës.” Pra për të ndërtimi i një vepre arti është produkt i gjeniut të  artistit, i cili është i lidhur pashmangërisht me vendin dhe kohën ku  jeton.”

Për Fishtën Arti nuk është imitacion i natyrës, pasi ai lind në mendjen e artistit…: “Pra  jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendeve si gjinden në natyrë, por  prej një ideje të përftueme nëpër intuicjon në mende të artistit mbi  sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazi.” Fishta e konsideron  imitimin e natyrës një shprehje të ulët, të pakrahësueshme me artin e  vërtetë. Si formën klasike të imitimit të natyrës ai konsideron  fotografinë, që në ato vite ishte përhapur ndjeshëm në gjithë qytetet më  të rëndësishme të vendit. Ai shprehet: “ Prandaj gabojnë, ata qi  thonë, se Arti asht një ndërndjeksim a imitacion i natyrës: si mundet me  e vërtetue puna edhe prej Fotografijet, e cila sigurisht paraqet  natyrën ma besnikërisht se çdo artist në nam e në za, e me gjithë kta  ajo nuk asht Art.”

Për të imagjinata, e mbyllur në mendjen e artistit, është ajo që  zbërthen artin e vërtetë, bukurinë ideale, që vetëm ai e sheh..: “Edhe  kështu, shifet një herë ma tepër se bukurija, si objekt Arti, nuk asht  ajo qi shndritë më natyrë, por ajo qi shkelxen m’ideal t’Artistit”, pra mënyra se sheh artisti veprën apo objektin, është vetë shija e tij  estetike, e cila kondicionohet nga kushtet e vendit dhe kultura që e  rrethon..: “bukurija e formës s’ides së veprës artistike shkon mbas  synit, … synit ideal – krijue brenda vedit neper fuqi t’imagjinacionit.”

Si përmbledhje e gjithë kësaj, Fishta përshkruan të gjitha etapat e krijimit të një vepre artistike: “Mbasi  pra një herë artisti t’a ketë sendergjue iden e veprës artistike në të  gjithë madhninë e vet, syni i mendjes së tij, ka për të skjyrtue nëpër  hapsin e rruzullmit të vet ideal e ka për të kërkuem të çfaqunat e  rruzullmit të dukshëm, ku të jenë ma të hijshme e bukura, e ndiesit e  sensacionet ma të kënshme e t’amla, edhe elementat e pjesët e ndryshme  tue i rëndue e tue i përkue me madhni t’ides e qëllim t’objektit të  veprës artistike, ka për të nxjerrë bukurinë e formës, e kështu me  krijue idealin e veprës së vet.” Sipas Fishtës, artisti,  seleksionimin e objektit artistik, e bën me syrin e mendjes dhe ndjesi  të shpirtit. Qëllimi i tij është të shkaktojë një shok emocional: “Njaj  syni i mendjes pra, qi skjyrton bukuritë terthores së rruzullmit ideal,  asht shija estetike, mbas së cillës thamë se trajtohet forma e ides  genjale t’artistit, e quhet shije, pse selekcjonin e elementavet të  formës s’idealit e ban me sy të mendies e njiheri edhe ndiesi të  shpirtit; mbasi kjo formë do të shkaktojë gzim e dhimsi.” Përballja  e Fishtës me disa nga pikëpyetjet e trajtuara ndër shekuj nga estetë  perëndimorë, tregon guximin e tij intelektual dhe nevojën që ai ndjen  për t’i servirur publikut intelektual shqiptar hulumtime që e tejkalojnë  dukshëm realitetin artistik e kulturor në vend.

Një kontribut modest në fushën e estetikës mundohet ta japë dhe  Androniqi Zengo, në atë kohë e sapokthyer nga studimet në Akademinë e  Arteve në Athinë tek “Mi Artin Përgjithsisht” (1935). Ajo me  modesti shprehet se është shumë e vështirë të përcaktohet qëllimi i tij i  vërtetë, e më pas rradhit mendimet e disa filozofëve të ndryshëm si H.  Spencer, Kuzan, Aristoteli, për ta mbyllur me shprehjen e Oscar Wilde: “Natyra është lënda që lëfton të bëhet shpirti. Arti është shpirti që çfaqet nën konditat e lëndës.”

Po të njëjtin vit, S. Toto, tek “Arti që na duhet” sjell disa hulumtime të shkurtra të “Nuovi Saggi di estetica”,  shkruar nga Benedetto Croce. Duke u bazuar fillimisht tek esteti  italian, Toto ndalon në dy çështje të rëndësishme: krijimi artistik e  arti si funksion shoqëror. Mbi krijimin artistik, ai nënvizon: “Një  vepër arti, thotë Croce-ja, është shprehja e mbaruar e një intuicioni të  thjeshtë. Artisti intuiton realitetin e gjallë të një idee të thjeshtë,  e cila e bashkuar me ndjenjën relative të thjeshtë, na paraqet krijimin  e të bukurit.” Toto shton se Croce është për idenë e një arti që nuk i detyrohet kohës që jeton, por një “arte per se”, art për art… një art që përshkon kohërat. Si shembull, ai sjell poezinë “Vallja e yjeve” të L. Poradecit, të cilën e karakterizon si një art universal, pa kohë;  prodhimi i jetës dhe shpirtit shqiptar që duhet të jetë. Por Toto nuk  është dakord me të. Ai shprehet qartë se: “Arti per se, është një  emërim fals dhe sidomos kur shekulli i njëzetë na detyron t’i kuptojmë  fuqit krijonjëse si funksione shoqnore, të lindura prej përpjekjeve  shoqnore, të cilat e kthejnë energjinë e tyre për zhvillime fantastike  të kolektivitetit”. Toto mbështet idenë e një artisti në funksion  të kohës, i cili mundohet të japë kontributin e tij për një shoqëri  dashamirse ndaj artit, për të shkuar më pas drejt artit platonik. Si  konkluzion, ai thotë se: “E përsëris që rrojmë në shekullin e një  realizme të tmerrshme. Tendenca realistike sundon të gjitha çfaqjet  artistike të popujve të mëdhej. Kleri po e konsideron artin si kapital  propagande fetare. Rusët, Gjermanët, Italianët, Turqit e të tjerë popuj  kryengritës, po e drejtojnë artin si një fuqi shtytëse për kontemplimin e  idealeve që duan t’arrijnë si popuj… Prandaj artisti duhet të jetë  prodhim i fuqive tona shoqërore, të bëhet pjesë organike e përpjekjes  tonë kolektive, përndryshe kundërshtojmë realitetin e pa biseduarshëm të  funksionit shoqëror n’art.” Për Toton, në shoqërinë shqiptare të  kohës, është më e nevojshme krijimtaria e një artisti që pasqyron  realitetin e ashpër të jetës së përditshme, sesa një artist që përkrah  misionin e tij artistik, si një artist pa kohë, platonik, pa vend e  kontekst social.

Përpjekjet e sipërpërmendura janë një përmbledhje e shkurtër e atyre  pak tentativave të botuara në shtypin e viteve ‘30. Të gjitha këto  përsiatje estetike, sado modeste, mundoheshin të luanin rolin e tyre për  ngritjen e rolit të kulturës në shoqërinë e kohës. Këto mendime vijnë  nga influenca të ndryshme, përgjithësisht perëndimore, por pozicionohen  si kontribute të shpërndara e të papërqendruara në një qëllim të qartë.  Edhe ato pak revista kulturore të kohës nuk arritën të krijojnë një  arenë debati a kultivimi të një mendimi estetik, ku intelektualët e  kohës të rrihnin mendimet e tyre mbi artin e kohës. Pjesa më e madhe e  tyre pati jetë të shkurtër e shpesh përqendrohej në promovimin e  historisë së kaluar të popullit shqiptar. Përveç kësaj edhe aktivitetet  artistike në vend ishin mjaft të vakëta për të stimuluar sadopak një  diskutim estetik në nivel të gjerë mes intelektualësh. Për secilin prej  artikujve të kohës të botuar mbi artin, regjistrohen pak apo aspak  reagime a shenja përkrahjeje. Pjesa më e madhe e tyre mbetën si ishuj  mendimi në një realitet të vështirë në shumë drejtime e me një regjim  monarkik që kishte prioritete të tjera shumë më emergjente.