• E mërkurë / Aug-05 06:50
  • Kontakt

Ronaldo lajmëron Juventusin: S’kthehem në Itali

Ronaldo lajmëron Juventusin: S’kthehem në Itali

Cristiano Ronaldo do të qëndrojë në vendlindjen e tij, Madeira të Portugalisë, pasi Juventusi e ka konfirmuar se mbrojtësi Daniele Rugani është infektuar me koronavirus.

Juventusi e ka konfirmuar se sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo nuk do të kthehet në Torino të Italisë për momentin, por do të izolohet në vendlindjen e tij në Portugali.

“Cristiano Ronaldo nuk është stërvitur dhe ai mbetet në Madeira duke pritur të qartësohet situata lidhur me emergjencën aktuale shëndetësore”, thuhet në deklaratën e Juventusit, të lëshuar pas stërvitjeve të së mërkurës.

Lajmi bëhet i ditur pas konfirmimit të Juventusit se mbrojtësi Daniele Rugani ka dalur pozitiv në testin për virusin COVID-19.

Ronaldo kishte udhëtuar në Madeira më 9 mars për herë të dytë brenda ditëve të fundit për ta vizituar nënën e tij, Dolores Aveiro, e cila pësoi goditje në tru së fundi. Ylli i Juventusit kishte shkuar në shtëpi edhe për ta festuar ditëlindjen e motrës së tij.

Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, Komiteti Olimpik i Italisë vendosi t’i suspendojë të gjitha eventet sportive në Itali, përfshirë këtu edhe ndeshjet e Serisë A, për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirus.

Ronaldos iu dha leja nga klubi italian të udhëtojë drejt Madeiras, ku ka qëndruar që tri ditë, kohë më e gjatë sesa që ishte pritur fillimisht.

Nëna e tij, sipas mediumeve italiane, është shëruar, mirëpo futbollisti do të qëndrojë në vendlindje bashkë me familjen e tij derisa të përmirësohet situata në Itali.

Sipas gazetës italiane Tuttosport, Ronaldo kishte marrë leje të veçantë për t’u kthyer në Itali me një fluturim privat nga Portugalia, përkundër kufizimeve në fluturime nga dhe drejt Italisë, dhe ai pritej të kthehej në stërvitje të enjten.

Megjithatë, skuadra e Juventusit është vendosur në karantinë për momentin, pasi u bë i ditur lajmi se Rugani është i infektuar me koronavirus.