Frika e Scaparrottit dhe vota e deputetit kosovar

Sa e arsyeshme është frika gjeneralit amerikan Curtis Scaparrotti, Rusia të ketë rritur ndikimin në Ballkan? Shumë. Për ta besuar këtë ...

Sa e arsyeshme është frika gjeneralit amerikan Curtis Scaparrotti, Rusia të ketë rritur ndikimin në Ballkan? Shumë. Për ta besuar këtë le të analizojmë veprimet e «Listës Serbe»;le të habitemi me veprimet e deputetëve kosovarë dhe le të pranojmë: ndikimi rus de facto është shumë më i fuqishëm në Kosovë se ai perëndimor. Të fundit si të parët nuk pranojnë realitetin mbi të cilin veprojnë, secili në mënyrën e vetë: Njëra palë nuk pranon si realitet shtetin e Kosovës, tjetra nuk pranon ndikimin rus që donë të zhbëjë këtë të vërtetë. Mirëserdhët në rajonin e Drakullës.

I.

Nuk shkon me zor. Lista Serbe nuk konsideron të jetojë mbi të qenurën substancë – që në këtë rast është shteti i Kosovës. Refuzimi kategorik i saj ta votojë demarkacionin – u dhimbet Zhlepi?! – manifeston faktin se transmutacioni (websterian) mental i tyre në favor të njohjes së realitetit «Kosova shtet i pavarur» del i pamundshëm. Plani mental, që atyre ua dikton këtë sjellje është fryti asaj politike që arsyeton bindshëmfrikën e gjeneralitCurtis Scaparrotti që shprehu para Senatit amerikan: Rusia nëpërmjet serbëve është e interesuar të ushtrojë ndikim drejt konflikteve të reja në Ballkan.

Kaq i thellë është destruksioni permanent i «Lista Serbe»-s. Nuk është pra vibrim, kundërshti rreth metodës së trajtimit të një esence, por mohim i vetë esencës – sovranitetit të shtetit të Kosovës. Këtë – që mos i hyjmë borxh edhe e thonë qartë në faqen e tyre zyrtare srpskalista.net.

Kymohim kategorik është esenca e shumicës së deputetëve serbë në Parlament.Esencë që aq tepër ulurin për të bindur tjerët se është ashtu siç është dhe jo si duan ta dëgjojnë tjerët, pra se nuk është vetëm poli i kundërt i një dukurie, por është ajo vetë. Këtë nuk duan ta pranojnë diplomatët si Greg Delawie, Ruairi O’ Conell. Duan të fitojnë kohë? Me keqardhje duhet të konstatojmë se diplomatët e nderuar nuk njohin asnjë fije të mentalitetit gllabërues – mbijetues të drakullave ballkanike: po nuk ia theve dhëmbët me transparencën maksimale dhe ultimatumet e nevojshme ai vetëm sa forcohet nga gjaku që thithë nga pusi i durimit tënd!

Aty nuk shkon metoda e llojit: t’i bindim që së paku «kësaj radhe të lëshojnë pé». Jo nuk shkon kjo «diplomaci» në atë Gadishull që është edhe varri historik i gjithë të urtëve të historisë kulturore që nga mistikët uregjiptas, me Hermes Trismegistot dhe Asklepiot antik e deri tek të vetët që sot që i primatëzojnë vetëm kur janë banditë, urrejtës, nacionalistë, hajdutë, skizofren apo edhe minidespotë të pamëshirëpo si ajo nëna e Hänsel-it dhe Gretel-it në atë përrallen e vëllezërve Grimm.

Përmbajtja e lutjes së Delawie drejtuar serbëve kosovarë që ta votojnë «Demarkacionin» sepse edhe qytetarët serbe do të përfitojnë nga lëvizja e lirë BE-së, a nuk është antimetafora e asaj që poetizuam lartë me gjakun për Drakullën? Ata nuk kanë nevojë të votojnë për këtë gjë, ngase të gjithë janë të pajisur me pasaporta të shtetit serb – e këta kanë liberalizimin. Është hipokrizi ta kërcënosh dikë me mosdhënien e asaj që ka.

Në krahasim me akterët tjerë në Kosovë «Lista serbe» është më transparentja me veprimet e saja, sepse për çdo ditë thotë: «Nuk jemi në institucionet e Kosovës pasi që njohkemi atë si shtet, porse jemi aty të realizojmë politikat tona që diktohen nga Moska dhe Beogradi». Këtë e ka shkruar bardh e zi në qëndrimin e programit të saj politik. E principin bazë të këtyre qendrave karshi Kosovës e dimë: Maksimal shkatërrimi i shtetit, minimal përdorimi si vatër krize për të penguar politikat perëndimore aty. Qytetarët me origjinë serbe? Le të merren me ta shqiptarët dhe perëndimorët.

Amerikanët dhe tjerët e oksidentit si dhe shqiptarët nuk pranojnë këtë realitet pasi atëherë duhet ta pranojnë publikisht se gjenden para murrit të ndikimit rus: të dështuar! Këta akterë nuk kuptojnë se më mirë të pranosh disfatën njëherë se të qëndrosh peng i saj përherë. Siç ndodhë që nga dorëzimi i Mitrovicës e deri sot qe dhjetë vite.

Në vend të integrimit të serbëve ata kanë dezintegruar Kosovën nga vetja. E qëllimshme kjo? Të heqin qafe një kancer që e shkaktuan vetë? Së paku kështu sillen ata që vërdallën Prishtinës. Shqiptarët e bëjnë nga padija, hajnia dhe shkaqe të llojit.

 

II.

Të ikim nga gropat Ballkanike e drejtë në sallat ultramoderne të Senatit amerikan, atje tek frika e Scaparrottit. Pse është arsyeshme dhe reale e jo fiksim pentagonësh frika e gjeneralit? S’kemi nevojë të vizatojmë harta veprimesh destruktive për të bindur botën se ç’bënë kuarteti johyjnor i boshtit Moskë-Ankara-Beograd-Athinë duke kanosur e kushtëzuar vazhdimisht shtetet tjera ballkanike, mjafton të merremi vetëm me një proces të vetëm, të veçantë, «bilateral e lokal», siç është Demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi për t’i bërë fare të dukshme konturet e kësaj politike gjithandej.

Ç’ rezultatesh ëndërrojnë Moska dhe Beogradi që detyrojnë «Lista Serbe»-n të refuzojë «Demarkacionin», ja disa: 1. Synon tensionimin e marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi (ku dështoi Rusia) 2. Mban të izoluar qytetarët e Kosovës dhe larg perëndimit në aspektin e zhvillimit sidomos në arsim e profesionalizim 3. Acaron dhe ndihmon në thellimin e përçarjes së spektrit politik kosovar që asnjëherë vetë të mos jetë në gjendje të arrijë konsensuse që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit dhe sovranitetit (se pse këta i ndihmojnë kësaj strategjie është temë në vete) 4. Shpreson destabilizimin ndërshqiptar për të dëshmuar labilitetin permanent të shteteve të tyre (të paqeverisshëm) 5. Përforcon izolimin që si zakonisht çon në valë të reja emigrimi 6. Kosova të ndahet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, kështu duke i dhënë Rusisë sërish mundësinë të shemb të drejtën ndërkombëtare të vetëvendosjes së popujve, që edhe për ca të flente e qetë mos të përfundojë në atë Rusi të tkurrur (sidomos për nga ndikimi) siç konsideron veten sot Serbia. Listën mund ta vazhdonim deri në pafundësi.

 

III.

Pse aleatët perëndimorë të Kosovës dhe kjo vetë janë kaq të pafuqishëm karshi strategjive që vijnë nga boshti që listuam lartë? Sepse janë të pasinqertë me veten. Sepse për të mos u dukë nacionalistë, diskriminues te pakicës serbe ia kanë lënë ata në duar jo të Vuçiçit, por Daçiçit, Gjuriçit … me kompani, të cilët edhe janë përfaqësuesit faktik të Moskës në Beograd – pra kastës jo vetëm nacionaliste por më shovinistes që ka Ballkani sot për sot. Vuçiçin në çastin kur ky grup ta konsideroj se mund ta tradhtoj Moskën – do t’i ndodhë si Gjingjiçit! Këtë e di çdo “ambasador” por e thonë vetëm në depeshet shefave të tyre.

Me këtë lloj politike nuk përballesh dot me lutje, urime dhe mbjellje fidanësh urave të shndërruara në gropë-varr i çdo politikani që merr guximin madje të parafytyrojë Kosovën si shtetin e tij.

Kosova rrezikon jo vetëm me demarkacionin, por me vonë me ushtrinë e me gjithçka tjetër të bllokohet për shkak të ndikimit që rusët kanë aty. Dhe kjo do të ndodhë deri në luftën e ardhshme nëse perëndimorët, e para  së gjithash qytetarët tjerë shqiptar, serb, romë, kroatë… nuk i thonë kësaj drakullerie stop!

Pavarësisht se çka u «rekomandojnë» deputetëve shqiptarë shefat e tyre, ata para se të japin apo mos të japin votën për vendime substanciale të vendit, duhet ta kenë parasysh këtë realitet – ndikimin, respektivisht kushtëzimin e ekzistencës së shtetit të tyre nga Rusia nëpërmjet serbeve, ku fatkeqësisht është radhitur edhe «Lista Serbe» se për serbët në tërësi nuk dimë as çka duan e as çka mendojnë.