Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ai i ka kërkuar, Elon Muskit dhe kompanisë së tij SpaceX që të kthejnë dy astronautët e NASA-s nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) sa më shpejt të jetë e mundur.
“Kam kërkuar nga Elon Musk dhe ‘SpaceX’ që të sjellin dy astronautë të guximshëm që praktikisht u braktisën në hapësirë nga administrata e (ish-presidentit të SHBA-së Joe) Biden. Elon do të jetë në rrugën e tij së shpejti. Shpresoj se gjithçka do të jetë e sigurt. Fat i mirë,” ka shkruar Trump në rrjetin social Truth Social.
Musk konfirmoi se Trumpi i kërkoi atij t’i kthente astronautët “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kërkesa e tij që Musk të përshpejtojë kthimin e astronautëve të NASA-s, Butch Wilmore dhe Sunny Williams, të cilët ishin planifikuar të ktheheshin në kapsulën SpaceX që nga gushti, është një ndërhyrje e pazakontë nga presidenti amerikan kur bëhet fjalë për operacionet e NASA-s, thekson agjencia.
Willmore dhe Williams fluturuan me anijen kozmike Boeing Starliner verën e kaluar, por në vend të tetë ditëve të planifikuara, misioni i tyre u zgjat pothuajse në një vit për shkak të problemeve me sistemin e anijes. NASA tha se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore megjithëse nuk dihen ende të gjitha detajet se kur saktësisht do të kthehen.