Thaçi dhe Vuçiq përfaqësojnë shtetet e tyre në Samitin e Sofjes

Gjatë këtij muaji Bullgaria e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së do të pres udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së...

Gjatë këtij muaji Bullgaria e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së do të pres udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sofjes tanimë është konfirmuar dhe përfaqësues i vendit tonë në këtë samit do të jetë presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi ka marrë ftesën nga Bashkimi Evropian dhe Bullgaria si kryesuese, e cila është nënshkruar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe nga Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov.

Më herët është përfolur se në këtë samit Kosova do të përfaqësohej nga kryeministri Ramush Haradinaj. Mirëpo këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi ka thënë se Haradinaj do të marrë pjesë vetëm në Samitin e Vjenës i cili në njëfar mënyrë është vazhdimësi e samitit.

“Kryeministri do të marrë pjesë në Samitin e Vjenës që mbahet më 17-18 maj në Sofje e që në një mënyrë është vazhdimësi e samitit”, ka thënë Arifi.

Mësohet se Thaçi është ftuar për shkak të dialogut me Serbinë, pasi prej këtij shteti përfaqësues do të jetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Theksojmë se Spanja vazhdimisht e ka kundërshtuar pjesëmarrjen në këtë Samit ku kryeministri i saj, Mariano Rajoy kishte thënë se nuk do të jetë pjesë nëse Thaçi është prezent, mirëpo krejt në fund ai ka hequr dorë nga këto deklarata.