Ambasada e Gjermanisë: Mbyllja e institucioneve në veri, e lidhur me krijimin e Asociacionit

Ambasada e Gjermanisë: Mbyllja e institucioneve në veri, e lidhur me krijimin e Asociacionit

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e arsimit dhe shëndetësisë është thellësisht e lidhur me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mbylljen e institucioneve të tilla, ambasada gjermane tha se e shohin të lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM)”.

“Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë ASMM-në, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Po ashtu, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se veprimet e fundit të qeverisë në veri të vendit nuk kontribuojnë për një konsensus tek vendet e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Gjermania është përgjithësisht e mendimit se masat ekzistuese ndaj Kosovës duhet të hiqen. Megjithatë, heqja e këtyre masave kërkon një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së dhe veprimet e fundit nuk kanë nxitur një atmosferë më pozitive ndaj Kosovës për të arritur një konsensus të tillë”, thuhet në përgjigje.