Bozhoviq për ndeshjen Zvicër-Serbi: Fatkeqësisht politika është futur edhe në sport

Gazetari Bojan Bozhoviq i ka vlerësuar si provokime politike deklaratat e presidentit serb Aleksander Vuçiq

Gazetari Bojan Bozhoviq i ka vlerësuar si provokime politike deklaratat e presidentit serb Aleksander Vuçiq, në lidhje me ndeshjen e sotme në mes të Zvicrës dhe Serbisë, ku në ekipin e Zvicrës luajnë tre kosovarë.

“Politika është në çdo sferë të jetës dhe fatkeqësisht është futur edhe në sport. Deklaratat e Vuçiq nuk janë emocionale por politike, me qëllimin që të fitojë vota”.

Bozhoviq ka deklaruar se disa media serbe që janë të ngarkuara politikisht dhe veprojnë kundër Kosovës, kane raportuar disa gjëra, siç mund të jetë festa në Zhegër, si provokime.

Ai gjithashtu ka theksuar edhe nevojën për qetësi gjatë ndeshjes së sotme, ndonëse tha se nuk beson që mund të ketë ndonjë incident të madh.

“Ata që luajnë futboll besoj që do të jenë gjakftohtë, në qoftë se janë gjaknxehtë do të jetë gabim. Edhe FIFA është e alarmuar se çfarë rreziku mund të ketë sonte. Shpresoj të mos ndodhë asnjë incident. Serbia veçse është dënuar për ndeshjen e parë ndaj Kosta Rikës për shkak të parullave nacionaliste”.

“Mitrovica është vend që mund të paraqes më shumë rrezik, kjo ngaqë tifozët serbë dhe ata të Zvicrës janë vetëm 100 metra larg njeri tjetrit. Pa marrë parasysh rezultatit tifozët do të dalin rrugëve, mirëpo nuk e besoj që mund të ketë ndonjë incident të madh”.

Sa i përket ndeshjes Zvicër-Serbi, Bozhoviq, i cili po e përkrah Serbinë sonte, ka thënë se ky ekip ka lojtarë shumë të mire mirëpo u mungon bashkëpunimi, përderisa për Zvicrën tha se është favorit i këtij kampionati.