Qeveria e Brazilit është vendosur të fillojë shpërndarjen e vaksinave COVID-19 tek atletët, trajnerët, arbitrat dhe media e akredituar që shkojnë në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Tokio.
Ministri i shëndetësisë Marcelo Queiroga tha të martën se Brazili do të përdorë 4,050 doza të Pfizer dhe 8,000 të tjera nga kompania farmaceutike kineze Sinovac për t’i shpërndarë ato në pjesëmarrësit e kësaj olimpiade, transmeton lajmi.net.
“Ne do të vaksinojmë atletët dhe trajnerët tanë Olimpikë për t’u siguruar që ata mund të paraqiten shumë mirë në kapacitetet e tyre dhe të sjellin shumë medalje,” tha Queiroga.
Programi i vaksinimit të atletëve do të fillojë të mërkurën dhe do të zhvillohet në Sao Paulo, Rio de Janeiro dhe Fortaleza. Ai ndjek masa të ngjashme që janë ndërmarrë nga vendet duke përfshirë Britaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë.
Lojërat Olimpike, të cilat janë shtyrë tashmë 12 muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë planifikuar të hapen më 23 korrik.