Murati për paralajmërimin e grevave: Kanë më shumë synime politike, sesa të drejtat e personelit shëndetësorë

Murati për paralajmërimin e grevave: Kanë më shumë synime politike, sesa të drejtat e personelit shëndetësorë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të futen në grevë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 15:00. Pas kësaj, ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar lidhur me paralajmërimet për protesta dhe greva.

Murati ka deklaruar se që nga marrja e mandatit kanë ndarë mbi 30 milionë euro shtesë në shëndetësi, për barna esenciale në luftën ndaj COVID-19 dhe së fundmi edhe për shtesat e personelit shëndetësorë në vlerë prej 10% të pagës.

“Si Qeveri, jemi të përkushtuar që të punojmë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat. Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat”, tha Murati, shkruan lajmi.net.

Tutje ai theksoi se me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësorë.

“Kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para.”, shtoi ai.

Hekuran Murati deklaroi se krahas përfitime financiare, ata shtyjnë përpara edhe agjendën politike.

“…siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura.”, tha ai.