Shtëpia e Bardhë zbulon planet për të reduktuar nivelin e nikotinës në cigare

Sasia e nikotinës në cigaret e shitura në SHBA është vendosur të reduktohet në nivele minimale ose jo varësie.

Sipas mediave të huaja Shtëpia e Bardhë zbuloi të martën planet që mund të zvogëlojnë në mënyrë dramatike vdekjet nga kanceri – një synim i administratës së presidentit Joe Biden.

Por masa ka të ngjarë të përballet me kundërshtim nga industria e duhanit.

Pirja e duhanit mbetet shkaku kryesor i vdekjeve në SHBA, duke llogaritur 480,000 vdekje çdo vit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Në një deklaratë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se planet për një standard të propozuar produkti do të vendosin një nivel maksimal të nikotinës në cigare dhe “do t’u japin fund” disa produkteve të tjera të duhanit.

Komisioneri i FDA, Dr Robert M Califf ka thënë se ulja e niveleve të nikotinës mund të zvogëlojë gjasat që të rinjtë të bëhen të varur nga cigaret dhe të ndihmojnë duhanpirësit aktualë që ta lënë duhanin.

Në vitin 2020, rreth 30.8 milionë të rritur në Shtetet e Bashkuara pinin cigare. Autoritetet e SHBA-së vlerësojnë se 87% e duhanpirësve të rritur fillojnë në kohën kur mbushin 18 vjeç.

Nisma vjen pasi administrata Biden në shkurt vendosi objektiva për të ulur shkallën e vdekjeve nga kanceri me të paktën 50% gjatë 25 viteve të ardhshme, si pjesë e fushatës së tij “Cancer Moonshot”.