• E mërkurë / Oct-05 16:12
  • Kontakt

Sulmi mbi policinë në veri, Kurti: Sot do t’i pres në takim policët e lënduar

Sulmi mbi policinë në veri, Kurti: Sot do t’i pres në takim policët e lënduar

Gjatë një aksioni kundër kontrabandës në veri të Kosovës, 5 policë kanë mbetur të lënduar.

Rreth kësaj ka pasur reagime të shumta, njëra prej tyre duke qenë edhe kryeministri, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

Kurti i ka shprehur falënderime dhe mirënjohje ndaj policëve, për trimërinë dhe profesionalizmin e tyre.

“Ndërkaq sa i përket policëve tanë, i kemi 5 të lënduar në veri të Kosovës duke e luftuar kontrabandën, krimin e organizuar. Unë mund të shpreh vetëm falënderimin dhe mirënjohjen time të madhe për trimërinë dhe profesionalizmin e tyre, por në të njëjtën kohë shpresoj e uroj që edhe hallkat tjera të sistemit të drejtësisë të jenë në nivel të detyrës në mënyrë që të mos na përsëriten rastet e tilla”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, i pari i qeverisë ka njoftuar se, ai do t’i pres sot policët e lënduar në zyrën e kryeministrit.

“Për sot kam caktuar që t’i pres pasdite në orën 17:00 policët e lënduar në zyrën e kryeministrit dhe më lejoni që të mos flas hollësi të tjera nga kjo zyre ku jemi tani, sepse këtu jam në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes dhe theksi i kësaj konference janë zgjedhjet e brendshme në subjektin tonë politik”, ka deklaruar përveç tjerash Kurti.

Përndryshe rreth kësaj ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se policët e kanë kryer më së miri operacionin. Duke njoftuar edhe se, prokurorja e prokurorisë themelore e ka liruar menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë.