Qindra mijëra ukrainas janë dëbuar me forcë, në “një seri tmerresh” të mbikëqyrura nga zyrtarë të presidencës ruse – thotë SHBA

Qindra mijëra ukrainas janë dëbuar me forcë, në “një seri tmerresh” të mbikëqyrura nga zyrtarë të presidencës ruse – thotë SHBA

SHBA ka prova që “qindra mijëra” qytetarë ukrainas janë marrë në pyetje, janë arrestuar dhe janë dëbuar me forcë në Rusi në “një seri tmerresh” të mbikëqyrura nga zyrtarë të presidencës ruse.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, akuza erdhi gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria për të diskutuar “operacionet e filtrimit” të Rusisë.

Rusia hodhi poshtë menjëherë akuzat si “fantazi”, duke e etiketuar atë shpikjen e fundit në një fushatë dezinformuese kundër vendit.

Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield tha se vlerësimet nga një sërë burimesh, duke përfshirë qeverinë ruse, tregojnë se autoritetet ruse kanë marrë në pyetje, arrestuar dhe dëbuar me forcë midis 900,000 dhe 1.6 milion ukrainas.

Ajo theksoi se ata dërgohen në Rusi, shpesh në rajone të izoluara në rajonet e saj të largëta lindore.

Ky numër përfshin ukrainasit që ikin vullnetarisht nga lufta në atdheun e tyre dhe ata që shpërngulen me forcë në Rusi duke kaluar nëpër një seri “pikash filtrimi” ku trajtimi supozohet se varion nga marrja në pyetje, mbledhja e të dhënave, deri te torturimi dhe dërgimi në një qendër paraburgimi në Rusi.

Thomas-Greenfield ka shtuar se vlerësimet tregojnë se mijëra fëmijë kanë qenë subjekt i filtrimit, “disa janë ndarë nga familjet e tyre dhe janë marrë nga jetimoret përpara se të birësoheshin në Rusi”.

Sipas informacioneve të SHBA-së, “më shumë se 1,800 fëmijë u transferuan nga zonat e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës në Rusi”, vetëm në korrik, citohet të ketë thënë ajo.

Si kundërpërgjigje, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, akuzoi Perëndimin se po përpiqet të dëmtojë vendin e tij.

Ai tha se më shumë se 3.7 milionë ukrainas, përfshirë 600,000 fëmijë, kanë shkuar në Rusi ose në zonat separatiste të kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore, por ata “nuk po mbahen në burgje”.

Nebenzia tha se ata ukrainas kaluan nëpër “një procedurë regjistrimi dhe jo filtrimi” të ngjashme me atë për refugjatët ukrainas në Poloni dhe vende të tjera në Bashkimin Evropian.