• E mërkurë / Oct-05 16:26
  • Kontakt

Rusia “zhvendos” nëndetëset pas rritjes së kërcënimit nga sulmet ukrainase

Rusia zhvendos nëndetëset e flotës së Detit të Zi – Ministria e Mbrojtjes

Ministria britanike e mbrojtjes ka publikuar përditësimin e saj të inteligjencës mbi situatën në terren në Ukrainë.

Kështu, ajo thotë se flota ruse e Detit të Zi ka zhvendosur disa nga nëndetëset e saj nga porti i Sevastopol në Krime në Novorossiysk në Krasnodor Krai, Rusia jugore, përcjell Telegrafi.

Zhvendosja ka të ngjarë të ketë ndodhur për shkak të ndryshimit të fundit në “nivelin e kërcënimit të sigurisë lokale” përballë rritjes së aftësisë ukrainase për goditje me rreze të gjatë.

“Në dy muajt e fundit është sulmuar selia e flotës dhe aeroporti kryesor i saj i aviacionit detar”, shtoi Ministria e Mbrojtjes.

Ndryshe, ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në fillim të muajit shtator, për të rikthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Kharkivit, prej nisjes së kundërofensivës.

Megjithatë, ushtria ruse ka thënë se trupat e saj janë tërhequr nga Kharkivi për t’u rigrupuar.