Macron: Ata që heshtin ndaj pushtimit rus, kontribuojnë në imperializmin e ri

Macron: Ata që heshtin ndaj pushtimit rus, kontribuojnë në imperializmin e ri

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka akuzuar Rusinë se është një fuqi moderne imperialiste sipas ligjit të xhunglës dhe u bëri thirrje vendeve neutrale që të ndalojnë së qeni bashkëfajtor në heshtjen e tyre ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Në një fjalim sonte para liderëve botërorë në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Macron paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës po ndan botën dhe po e kthen atë në epokën e kolonializmit.

“Ata që heshtin për këtë po kontribuojnë në imperializmin e ri, cinizmin modern që po shkatërron rendin botëror,” tha Macron në një fjalim gjysmë ore duke u bërë thirrje shteteve që të mos jenë vëzhgues pasivë.

“Kur dëgjoj Rusinë duke thënë se është gati për bashkëpunim të ri dhe një rend të ri ndërkombëtar pa hegjemoni, është thjesht një bisedë boshe. Dhe mbi çfarë bazohet? Në pushtimin e një vendi fqinj, në mosrespektimin e kufijve sepse nuk ju pëlqen. Çfarë rendi është ky? Kush është hegjemon i sotëm? Rusia”, tha Macron.