Shqipëria me nivelin më të lartë të “largimit të trurit” në rajon dhe Evropë

Shqipëria me nivelin më të lartë të “largimit të trurit” në rajon dhe Evropë

Të parët në rajon dhe Evropë dhe pjesë e listës me 10 shtetet me nivelin më të lartë të “largimit të trurit” në botë. Në këto nivele pozicionohet Shqipëria në “Indeksin e Ikjes së Njerëzve dhe Largimit të Trurit” të kryer nga forumi “Ekonomia Globale”.

Sipas të dhënave për harkun e viteve 2007-2022, Shqipëria ka një indeks largimi në nivelin 8.3 nga 10 që është maksimumi, ndërkohë që mesatarja botërore është 5.21 ndërsa ajo evropiane vetëm 3.66.

“Shqipëria ka tejkaluar normat e lëvizjes edhe me Sirinë apo Afganistanin. që janë vende në luftë. Madje edhe me Ukrainën që supozohet të ketë nivele më të larta. të vetmet vende me të cilat Shqipëria renditet më mirë janë Mikronezia apo ca ishuj, popullsia e të cilëve nuk mund të shërbejë as për statistikë”, thotë për A2 CNN Mikel Qafa, pedagog, ekspert për ekonominë.

Shqipëria ka një normë largimi të të diplomuarve ndjeshëm më të lartë edhe se vendet e tjera të Rajonit. Bosnje-Hercegovina ka normën më të lartë të “largimit të trurit” pas Shqipërisë në nivelin 6.8, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 6.6, Serbia 6 dhe Mali i Zi vetëm 4.9.

Po pse të rinjtë Shqiptarë e kanë dëshirën më të madhe për tu larguar se bashkëmoshatarët e tyre në shtetet fqinje? “Duhet të kuptojë që ata qytetarë të arsimuar që largohen nga Shqipëria nuk largohen vetëm për arsye ekonomike. Burokracitë, korrupsioni, pamundësia për të zhvilluar karrierën janë disa arsye të qenësishme”, thotë Qafa.

Dhe sigurisht që tkurrja e popullsisë ka një çmim jo vetëm ekonomik. “Së pari është ulja e të ardhurave të shtetit pasi forca punëtore që po largohet është ajo me produktivitetin më të lartë. Së dyti ulet përfaqësimi rinor në politik dhe institucione dhe siç e dimë të rinjtë janë lokomotiva e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Në mungesë të tyre e ardhmja kërcënohet ndjeshëm”.

Jo vetëm hartimi i politikave apo strategjive, por zbatimi i tyre vlerësohet nga ekspertë të fushës si mënyra e vetme për të ndalur rrjedhjen e trurit që nuk po ka të ndalur.