Ramush Haradinaj viziton kompaninë ''Fluidi Group''

Ramush Haradinaj viziton kompaninë ''Fluidi Group''

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se prodhuesit vendor po avancojnë me ngritjen e kualitetit.

Haradinaj gjatë vizitës së tij në fabrikën e vetme të përpunimit të vajit në vend “Floil” është shprehur se “Fluidi Group” është shndërruar në një ndër brendet kryesore të prodhuesve në Kosovë.

“Gjatë vizitës në Gjilan, kisha kënaqësinë të vizitoj fabrikën e vetme të përpunimit të vajit në Kosovë, ‘Floil’ që falë cilësisë dhe teknologjisë së fundit, ka arritur të jetë lidere në rajon. Nga pronari Berat Mustafa u njoftova se tanimë kjo kompani ka 140 punëtorë me tendencë rritjeje, ndërkaq përpos tregut vendor produktet e saj eksportohen edhe në Evropë dhe në Amerikë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“‘Fluidi Group” e themeluar tri dekada më parë si biznes familjar, me produktet e saj cilësore është shndërruar në një ndër brendet kryesore të prodhuesve vendorë”, ka shtuar ai.

I pari i AAK-së ka thënë se në thelb e kupton ndikimin që kanë prodhuesit vendorë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se mbetet i vendosur të jetë krah tyre.

“Nga takimet me biznese të ndryshme të vendit tonë, jam i inkurajuar me avancimin e dukshëm të kualitetit të prodhimit, duke tejkaluar tregjet vendore me eksportet e tyre në Evropë e kudo në botë. Ne kemi dëshmuar se përveç që duam, edhe dimë ta mbështesim prodhuesin vendor sepse në thelb e kuptojmë ndikimin që kanë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e vendeve të punës. Mbetemi shumë të vendosur të jemi krah tyre”, ka përfunduar ai.