Postimi i plotë i znj.Ardita Sinani:
Ndër takimet e shumta në New York, takimet me diasporën shqiptare gjithmonë janë të veçanta dhe me plotë energji e shumë të gatshëm për të kontribuar për vendin dhe bashkëkombësit.
Ishte kënaqësi e veçantë, bashkë me pjesën e delegacionit të bashkëbisedoja me aktivistë, humanistë e biznesmen kontribuues të pa shoq.
Takim i veçantë e shumë shpresëdhënës ishte edhe me anëtarët e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në New York të drejtuar nga Edi Pruthi.
Dinamizimi i avokimit për të kundërshtuar shtypjen e Serbisë dhe për të kërkuar barazinë e drejtësinë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e domosdoshme për ta mbajtur në agjendën e Capitol Hill-it.
Për të arritur sukses në këtë betejë, është e nevojshme të kemi një strategji të qartë dhe të koordinuar në mesin e shqiptarëve.
Përmes argumenteve të forta dhe të bazuar në fakte, si dhe përmes organizimit të fushatave të ndryshme lobuese, mund të sensibilizojmë për rëndësinë e çështjes dhe për të fituar mbështetjen në kundërshtimin e veprimeve të Serbisë që shkelin të drejtat e shqiptarëve.
Në këtë rrugë, bashkëpunimi i ngushtë me diasporën shqiptare, organizatat politike e shoqatat e ndryshme është thelbësor për të forcuar zërin tonë dhe për të ndërtuar frontin e fortë kundër shkeljeve të drejtave të njeriut dhe diskriminimit.
Vendosmëria dhe përkushtimi ynë në këtë përpjekje janë faktorët që do të ndikojnë në arritjen e suksesit dhe në mbrojtjen e interesave të popullsisë e ruajtjen e substancës kombëtare në këto troje.