Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:
Sot pata nderin të mirëpres në kabinet përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame - Preshevë, përfshirë Kryetarin e Këshillit, Mr. Nexhmedin ef. Ademi, kryeimamin Xhemaledin ef. Hasani dhe imamin e fshatit Shoshaj, Abedin ef. Limani.
Në këtë takim të rëndësishëm, më uruan për zgjedhjen time si Kryetare e Komunës së Preshevës, dhe së bashku diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Komunës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame për të forcuar vlerat tona kombëtare dhe fetare.
Biseduam për krijimin e një vije të veçantë buxhetore që do të mbështesë bashkësitë fetare dhe nismat e tyre, duke ruajtur harmoninë dhe identitetin tonë kombëtar dhe fetar. Një tjetër temë e rëndësishme ishte rreziku nga ekstremizmat që përçajnë popullatën tonë, dhe rëndësia e bashkimit për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e Preshevës dhe të mbarë Luginës.
Bashkëpunimi dhe uniteti ynë janë thelbësore për të përmirësuar mirëqenien dhe të ardhmen e popullit shqiptar të Luginës, duke i qëndruar besnikë vlerave tona të përbashkëta.