znj.Sinani priti në kabinetin e saj një delegacion nga komuna e Osmangazit

znj.Sinani priti në kabinetin e saj një delegacion nga komuna e Osmangazit

Postimi i plotë i kryetarës së Komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:

Në kabinetin tim, së bashku me zëvendës Kryetarin z. Mustafa, Kryetarin e Kuvendit z. Sabedini dhe Drejtorin e Çerdhes z. Asllani, patëm kënaqësinë të presim një delegacion të rëndësishëm nga Komuna e Osmangazit, të udhëhequr nga zëvendës Drejtori për Arsim z. Mehmet Fejsal. Delegacioni përbëhej gjithashtu nga pesë drejtorë shkollash, të cilët ndanë me ne përvojat e tyre dhe interesin për të bashkëpunuar në fushën e arsimit.

Gjatë këtij takimi, diskutuam për mundësitë konkrete të ndihmës për shkollat tona, përfshirë ngritjen profesionale të mësimdhënësve tanë përmes praktikave në industrinë e Bursës.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përmirësimi i kushteve të shkollave në komunën tonë. Gjatë takimit, ne dorëzuam një koncept-projekt për pajisjen e shkollave fillore të Preshevës me tabela interaktive, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës arsimore.

Ky bashkëpunim, të cilin e shohim me optimizëm, do të sjellë padyshim rezultate konkrete për përmirësimin e sistemit tonë arsimor.

 Ndihma e vëllezërve tanë nga Turqia, veçanërisht nga Osmangazi, është një kontribut i çmuar për zhvillimin e arsimit në Preshevë.

Falënderoj përzemërsisht delegacionin për vizitën dhe për angazhimin e tyre. Kjo vizitë është një hap i parë i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të frytshëm dhe afatgjatë!