Bashkimi Demokratik për Integrim BDI, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të papranueshme.
BDI thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut e njeh shqipen si gjuhë zyrtare dhe si të drejtë themelore të shqiptarëve.
Partia shqiptare nga Maqedonia e Veriut shpreh keqardhjen për deklaratat e Kurtit, që sipas saj, mund të dëmtojnë të drejtat e shqiptarëve dhe i bën thirrje të korrigjojë qëndrimet e tij
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo.”
“I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve:, thekson mes tjera kjo parti.