KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE 20-25 NËNTOR 1972 -shkruan Mr.sc.Shefat Ademi

KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE 20-25 NËNTOR 1972 -shkruan Mr.sc.Shefat Ademi

Tubim shkencor gjithëkombëtar, i mbajtur në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. U thirr për të nxjerrë përfundimet e diskutimit të gjerë për drejtshkrimin, që kishte filluar më 1967, pas botimit të rregullave të drejtshkrimit të shqipes (projekt), për të caktuar parimet dhe vijat themelore të hartimit të drejtshkrimit në trajtë përfundimtare, si edhe për të vendosur për një varg çështjesh të tjera, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit e të gjuhës letrare kombëtare në tërësi. Në Kongres  morën pjesë 87 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, nga shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni e në Mal të Zi dhe nga Arbëreshët e Italisë. 

Ndërmjet tyre kishte studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të arsimit dhe të kulturës e të tjerë. Në këtë kongres u mbajt një referat qendror me temën gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. Kongresi bëri bilancin e gjithë punës së mëparshme për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pas diskutimeve të gjera në seanca plenare dhe në dy seksione ai miratoi njëzëri Rezolutën, që është një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët të njerëzve të shkencës, të shkollës dhe të kulturës shqiptare. 

Duke bërë përgjithësimin shkencor të analizës së strukturës dhe të veçorive funksionale të gjuhës së sotme letrare shqipe, rezoluta pohoi për herë të parë se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar. Ai shënoi fillimin e periudhës së një gjuhe letrare të vetme të njësuar, e cila u mbështet edhe me vendimin e posaçëm të Kongresit të Manastirit mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe. Ndërkaq, disa studiues e krijues në emigracion vijuan të shkruajnë gegërishten me variacione sipas krahinave të prejardhjes së tyre. Pas vendosjes së sistemit pluralist u shprehën kërkesa që të mos pengohet lëvrimi i gegërishtes letrare, sidomos në krijimtarinë letrare. 

Me rifillimin e veprimtarisë fetare në Shqipëri, gjuha letrare e njësuar u shtri edhe në botimet në praktikën fetare. Kongresi i Drejtshkrimit pati jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore, të vendit dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore kombëtare. Ai ishte kurorëzim i përpjekjeve të vijueshme të gjuhëtarëve e të inteligjencies shqiptare, për afrimin e shkallëshkallshëm të varianteve letrare të mëparshme, dhe për formimin e një norme letrare shqipe.