“Demokracia Studentore” ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që katër hektarë tokë t’i takojnë kishës ortodokse brenda UP-së. “Demokracia Studentore” vendimin e Gjykatës së Apelit pro kishës ortodokse në lidhje me tokën në kompleksin universitar e ka cilësuar “bërje të ligjshme të dhunës dhe masakrave të Millosheviqit në Kosovë”.
Mexhid Ramusa nga kjo organizatë studentore, sipas një komunikate të saj, ka thënë se toka në kampusin universitar kurrë nuk do t’i takojë kishës së ndërtuar brenda këtij kampusi.
“Toka rreth 7 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, asnjëherë nuk do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’”, ka thënë Ramusa.
Ai më tutje ka shfaqur shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit, shkruan kallxo.com “Ne studentët jemi të shqetësuar për vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka vendosur pro kishës dhe kundër universitetit”, thuhet më tutje në komunikatë.Organizata kujton se si u ndërtua kisha brenda hapësirës universitare në vitet ‘90.
“Gjykata e Apelit për bazë është dashur t’i marrë incizimet në inaugurimin e themelit të kësaj kishe ku në atë video shihen qartë tanke, autoblinda dhe mjete të tjera të blinduara të policisë serbe”, thuhet në komunikatë.