Partitë shqiptare: Ushtria e Kosovës s’mund të mbetet peng i Listës Serbe, gati procedimi i ligjit

Paritë politike shqiptare, janë të gatshme që të procedojnë me formimin e Ushtrisë së Kosovës edhe me anë të ndryshimit të Ligjit për FSK-në

Përfaqësuesit e partive shqiptare në Kuvend, thonë se formimi i ushtrisë nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe, por që për hapat e mëtejmë duhet që të ketë dakordim edhe më faktorin ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës në bazë të Programit Legjislativ ka paraparë që më 30 prill ta dërgojë në Kuvend, Projektligjin për FSK-në.

Memli Krasniqi shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për lajmi.net se ata preferojnë që ushtria të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, por që ky proces nuk mund të mbetet pengë pafundësisht i Listës Serbe

“Pre neve është me rendësi jetike transformimi i FSK-se në Ushtri të Kosovës. Normalisht, ne preferojmë qe ky proces të kryhet përmes ndryshimeve Kushtetuese, por po ashtu besojmë se kjo çështje s’mund të mbetet pafundësisht peng i vullnetit të deputetëve të Listës Serbe”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ushtria nuk mund të mbetet peng nga Lista Serbe. Por, Beqiri i cili është edhe anëtarë i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për lajmi.net është shprehur çdo hapë për formimin e ushtrisë duhet të ketë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

“LDK e përkrahë çdo formë të formimit të ushtrisë qoftë me ndryshimet Kushtetuese, ose ndryshim të Ligjit për FSK-në, por që e ka edhe një garant mbrapa e ata dihet kush janë, pa ta do të ishte një aventurë dhe nuk do të kishte sukses”, është shprehur Beqiri.

Haxhi Shala nga radhët e Nismës Social Demokrate të Kosovës, ka thënë se kjo parti do ta përkrahë ç’do opsion të transformim të FSK-së në ushtri.

“Nisma për Kosovën përkrahë formimin e ushtrisë në cilin do variant, qoftë me anë të ndryshimeve Kushtetuese apo edhe ndryshimit të Ligjit për FSK-në”, është shprehur ai.

Shala i cili është edhe kryetarë i Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për lajmi.net ka thënë se Qeveria duhet ta sjellë sa më shpejtë në Kuvend Projektligjin për formimin e ushtrisë.

Pavarësisht premtimeve nga viti në vit për formonin e ushtrisë, Kosova ende nuk e ka atë, kjo për shkak se ajo po bllokohet nga Lista Serbe pa votën e së cilës nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

Kjo pasi formimi i Ushtrisë së Kosovës, prek ndryshimet Kushtetuese e të cilat nuk mund të bëhet pa 2/3 e gjithë deputetëve dhe 2/3 e pakicave.

Të ndodhur në një situatë të tillë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, I cili me Kushtetutë është edhe Komandant  Suprem i ushtrisë, kishte dërguar në Kuvend, ndryshimin e Ligjit për FSK-në, por kjo nismë kishte ngjallur reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtarë, SHBA, NATO dhe BE, që kishin detyruar institucionet e Kosovës të heqin dorë që ushtria të formohet me an të  ndryshimit të ligjit për FSK-në.