Vetëm dy vjet më parë, djaloshi nga Indonezia, Arya Perman, ishte jashtëzakonisht i trashë dhe i kishte 200 kilogramë. Mbipesha e tij e tepërt e pengonte atë të lëvizte, të luante dhe ai nuk mund as të ulej pa ndihmën e dikujt.
Pasi që lindi me 3.17 kg, Arya hante pesë herë në ditë dhe shpesh hante sa dy persona të rritur. Ai u trash me shpejtësi abnormale, ndërsa prindërit e tij Rokayah dhe Ade u përpoqën të bënin gjithçka për ta ndihmuar djalin e tyre. Ata madje e çuan atë tek mjeku në fshatin e tij, por ai nuk pa asgjë alarmante në gjithë situatën, transmeton koha.net.
Ushqyerja e djaloshit e përfshinte një numër të madh të karbohidrateve dhe yndyrave, ndërsa prindërit filluan të shqetësoheshin për shkak se e kuptuan se mbipesha e pengonte atë ta bënte një jetë normale.
Nëna Rokayah në një rast u tha medieve se ajo ndihej e pafuqishme.
"Ai është vazhdimisht i uritur dhe ha sasi të mëdha të ushqimit. Gjithashtu, ai vazhdimisht ankohet për frymëmarrje të vështirësuar, por e gjitha që e bën është se ha dhe fle. Nuk ka dhimbje më të madhe sesa ta shihni djalin tuaj se si vuan, ndërsa në anën tjetër asnjë nënë nuk mund ta ndalojë fëmijën e vet të hajë. Nuk kemi para të mjaftueshme për t'u konsultuar me mjekët, sepse e kemi shpenzuar shumicën e parave në ushqimin e tij", shtoi nëna e djalit.
Pasi që historia e djalit u bë e njohur në mbarë botën, ekspertët vendosën ta ndihmonin. Tani dy vjet më vonë, Arya ka shëndet shumë më të mirë, sepse pesha e tij është reduktuar në 121 kilogramë. Tani ai mund të ecë normalisht, të vrapojë, të luajë futboll, badminton dhe të shkojë në shkollë.
Dieta e tij tani përbëhet nga fruta dhe perime të freskëta, pak oriz dhe qumësht dietal.
Ai gjithashtu iu nënshtrua operacionit për zvogëlimin e lukthit, gjë që e ndihmoi atë të humbte peshë, pasi që konsumon më pak ushqime.
Ndryshimi i Aryas e ka gëzuar nënën Rokayah, e cila është shumë e lumtur që djali i saj është përsëri aktiv.
"Me të vërtetë jam shumë e lumtur kur shoh se djali im tani është më i shëndetshëm. Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem aktualisht. Është mirë ta shohësh atë se si luan dhe shkon në shkollë si fëmijët e tjerë. Ai ka qenë gjithmonë një nxënës i shkëlqyer, megjithatë, arsimin u detyrua ta ndërpresë për shkak të peshës së tepruar, e cila ia vështirësonte lëvizjen", tha Rokayah.