Kurteshi: Haradinaj ose të marrë përgjegjësitë ose e zgjedhim dikë tjetër

Kurteshi: Haradinaj ose të marrë përgjegjësitë ose e zgjedhim dikë tjetër...

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj për ndërrim të qëndrimeve dhe për qeverisjen e tij.

Kurteshi ka kërkuar nga Haradinaj që të marrë vendimet e shtetit në duar.

“Kërkoj nga kryeministri që të marrë në duar vendimet  për çështje politike, ashtu siç e obligon Kushtetuta. Nëse nuk është i gatshëm t’i ndërmarrë vendimet politike,  e zgjedhim dikë tjetër”, tha deputeti i VV-së.

Kurteshi ia përmendi Haradinajt mosnjohuritë për ekstradimin e shtetasve turq dhe dhënien e 53 milionë eurove kompanisë “Bechtel-Enka”.

“Kjo nuk mund të shkojë më tutje. Këto janë deklarata të Haradinajt. Ose të marrë përgjegjësi për veprime politike, dhe të fillojë me koordinimin e punës për dialog, ose të heqë dorë nga posti dhe t’u lëshojë rrugë të tjerëve”, përfundoi Kurteshi.

Kuvendi i Kosovës ka rreth shtatë orë që po zhvillon debat parlamentar lidhur me dialogun me Serbinë.