Haradinaj: Ne nuk i shkojmë në takim dhe kushdo që mbështet vazhdimin e qeverisë Kurti i bënë dëm Kosovës

Haradinaj: Ne nuk i shkojmë në takim dhe kushdo që mbështet vazhdimin e qeverisë Kurti i bënë dëm Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk janë ftuar në takim konsultativ nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Nuk i shkojmë [në takim]”, tha Haradinaj në një. Sipas Haradinajt, ata që e mbështesin qeverisjen e Kurtit, bëjnë “një dëm të madh për vendin”.

Gjatë ditës së hënë u bë e ditur se Kurti ka ftuar për takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në LDK thanë se Abdixhiku do të shqyrtojë këtë ftesë dhe më pas do t’i përgjigjen Kurtit.

Ndërkaq, Haradinaj tha se opozita duhet të “qëndrojë bashkë dhe t’i jap vendit ndryshimin e pritur”.

“Kurti e di që nuk ka takim me ne, nuk na ka ftuar, nuk i shkojmë ajo dihet”, tha shkurt Haradinaj.

Kryetari i AAK-së tha se votuesit nuk i kanë dhënë besimin e plotë Kurtit.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje në koalicion qeverisës me Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet jo shumicë, përjashto Listës Serbe, po konsiderohet skenari më real për formimin e qeverisë së re në Kosovë.

Megjithatë, në partinë e Albin Kurtit si dhe atë të Fatmir Limajt nuk kanë konfirmuar nisjen e diskutimeve për arritjen e një koalicioni, përkundër që është raportuar për një takim në mes tyre.

“Ende po punojmë për qeverinë e opozitës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse do ta kenë hapësirën e vetë, me këtë rast edhe Limaj edhe Nisma. Mendojmë se ia kemi borxh qytetarëve të vendit, se ne ua kemi kërkuar votën për ndryshim. Pra, mendoj se duhet të qëndrojmë bashkë e t’i japim vendit ndryshimin e pritur. Dihet që votuesit e Kosovës nuk i dhanë besimin e plotë ose si përpara Kurtit. Ai ka 10 deputetë më pak duhet ta lexojmë këtë mesazh të votuesve të gjithë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është i dëmshëm për Kosovën, kushdo që mbështet vazhdimin e Kurtit, qeverisë Kurti, është e dëmshme për Kosovën, është i dëmshëm për proceset që do të ndodhin”, theksoi Haradinaj.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe PDK-ja me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë si dhe AAK me 5 deputetë. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka siguruar tre deputetë në legjislativ, duke garuar në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë.

“Jo nuk do ta bëjë [qeverinë] nuk e ka shumicën së pari shqiptare, shihni si tenton ta bëjë qeverinë me Listën Serbe, po tenton ta bëjë qeverinë dhe thotë se Vuçiq po e pengon ta bëjë qeverinë. Si ka mundësi Vuçiq ta pengojë bërjen e qeverisë së Kosovës se ai po u varka nga Lista Serbe ose në deputetët serbë, partitë shqiptare të opozitës ashtu siç e sheh demokracia kërkojnë ndryshimin dhe kanë marrë më shumë deputetë sesa ai që është në pushtet”, tha kreu i AAK-së.

Sipas Haradinajt, askush nuk duhet ta mbështesë një qeveri Kurti 3.

“Një pjesë e njerëzve po jetojnë të mbyllur dhe nuk po i përcjellin proceset që janë duke ndodhur nëpër botë, mjafton qytetarët e Kosovës veç me e rikthye vëmendjen tek vizita e djalit të Trump me Vuçiq dhe biseda që ndodhi. Ne jemi duke humbur terren me shpejtësi të madhe kjo është rrezik për të ardhmen tonë dhe kjo fal Kurtit, unë e quaj mashtruesit. Është një marre e madhe e një dëm i madh për vendin kushdo që mbështet qeverisjen Kurti”, theksoi ai.

Ndërkaq sa i përket komunitetit serb, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq, dhe 9 ulëse do t’i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.