Kosova e Mali i Zi, nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për transportin ndërkombëtar te mallrave dhe njerëzve

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan sot marrëveshjen bilaterale për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshje u përkujdesën Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj dhe Ministri për Transport dhe Çështje Detare i Malit të Zi, Osman Nurkovic.

Ministri Pal Lekaj nëpërmjet Facebook-ut tregoi edhe përfitimet që sjell nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Do të lehtësojë, pajisjen me leje përkatëse, do të kemi levizje me të lirë të transportueseve te të dy vendeve tona, por edhe me vendet e treta, duke i përdorur Kosovën dhe Malin e Zi si vende transit”, ka deklaruar ministri Lekaj.

Të dy ministrat u dakorduan që së shpejti të hiqen edhe sigurimet kufitare të autopërgjegjësisë mes dy vendeve, në mënyrë që qytetarët e të dyja vendeve ta kenë më të lehtë dhe më të shpejtë qarkullimin në kufi.

Ministri Lekaj bëri me dije se veç tjerash me homologun e tij, Nurkovic, diskutuan edhe për projektin e tunelit që lidh Pejën me Rozhajen si dhe lidhjen përmes Hekurudhave.
“Ne presim që shumë shpejt të dalim me rezultate konkrete nga ekipet tona tashmë të emëruara, për sa i përket këtyre projekteve”, ka shkruar Ministri Lekaj në Facebook.