Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se raundi i tretë i bisedimeve do të mbahet në shtator, dhe dinamika e takimeve tjera do të rritet. Ai ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë konstruktive.
Sipas tij, Parlamenti i Republikës së Kosovës mbetet institucioni i vetëm shtetëror i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve të vendit.
Ai ka paralajmëruar se edhe qytetarët e Kosovës duhet të involvohen drejtpërdrejt në këtë proces, përmes referendumit.
“Jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi të drejtën për të mbajtur referendum. Në shërbim të këtij qëllimi, unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit”, ka shtuar ai.
Thaçi ka thënë se sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”, ka thënë Thaçi.
***
Presidenti Thaçi: Për marrëveshje me Serbinë po i analizojmë edhe temat tabu
Sipas presidentit janë duke u analizuar të gjitha opsionet edhe për tema tabu që ka pasur frikë të diskutohet deri më tani, raporton lajmi.net.
“Vetëm duke analizuar me kujdes të gjitha opsionit dhe duke shkuar edhe me larg për të diskutuar edhe për temat tabu mund të gjejmë zgjidhje për interesin shtetëror”, ka thënë ai.
Deklarata e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke mos përjashtuar mundësinë e bashkimit të Preshevës me Kosovën, ka ngjallur reagime të shumta, mirëpo thotë se nuk do të jetë ai që vendos pasi “Parlamenti do ta ketë fjalën përfundimtare për marrëveshjen e cila do të rezultojë në fund të dialogut”.
“Duhet të bëhet përpjekje maksimale për të arritur marrëveshje historike nëpërmjet dialogut”, të cilën presidentit ka thënë se do të jetë marrëveshje ligjore.
Tutje, i pari i shtetit thotë se marrëveshje mund të ketë vetëm përmes dialogut dhe mënyrë paqësore, e në asnjë rrethanë me kërcënime dhe luftë.