Hoti thotë së presidenti Hashim Thaçi dhe qeveria aktuale nuk kanë legjitimitet për të drejtuar bisedimet me Serbinë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Megjithatë, një zyrtar më i lartë se Hoti në LDK, nënkryetari Lutfi Haziri e ka mbështetur idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovë, ide kjo e thënë nga presidenti Thaçi i cili e ka quajtur korrigjim të kufijve.
“Unë mendoj që nuk është koha për ide të tilla, Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 në tërësinë territoriale që e ka gëzuar në vitin 1989 dhe pastaj ajo deklaratë e pavarësisë është shpallur në Parlamentin e Kosovës dhe ka marr, nëse mund të themi, bekimin e drejtësisë ndërkombëtare përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kanë qenë breza të tërë të shqiptarëve në Kosovë që kanë luftuar, derdhur gjak, djersë dhe mund për këtë projekt që e kemi tash edhe ta kenë të qartë të gjithë se projekti i Kosovës së pavarur edhe ky është kompromis për realizimin e interesave të çështjeve kombëtare. Ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm të shkëmbejmë territor shqiptar, territor të Kosovës me territor të Kosovës, sepse shkëmbimi i territorit të veriut të vendit me Preshevën nënkupton shkëmbim i territorit tonë me një territor tonin. Kemi luftuar për një projekt të Kosovës së pavarur, prej që është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës në dhjetor të vitit 1989 dhe pastaj me referendumin në fillim të viteve të 90-ta edhe me zhvillimet politike që kanë ndodhur, kemi besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO me miqësi të përhershme me Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë afër të realizimit të këtij misioni. Ka mbi 110 vende që na kanë njohur si shtet i pavarur, kemi problem në integrimin në BE sepse pesë vende ende nuk na kanë njohur, kemi problem normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por i kemi shtetet më të fuqishme të botës perëndimore në krah sepse jemi në anën e së drejtës për të realizuar interesat tona kombëtare”, ka thënë Hoti për Zërin e Amerikës.
I pyetur për qëndrimin e Lutfi Hazirit, Hoti ka thënë se qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është ai që e ka thënë më lartë. “Zyrtarë të lartë të LDK-së që e kanë hedhur këtë ide e kanë thënë edhe vet publikisht se respektojnë plotësisht qëndrimin e partisë”, ka thënë Hoti