Të shtunën ka qenë afati i fundit për përgatitjen e draftstatutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, megjithatë ky dokument nuk i është dërguar ende Bashkimit Evropian (BE).
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, në një përgjigje për T7 ka thënë se çështja e statutit të Asociacionit do të shqyrtohet në Bruksel menjëherë pasi ekipi menaxhues ta informojë zyrtarisht BE-në për rezultatet.
“Sapo Ekipi Menaxhues zyrtarisht informon BE-në për punën e tyre për statutin, kjo çështje do të bisedohet në takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë në Bruksel. Ne e kuptojmë se puna është ende në vazhdim. Ndërkohë, BE-ja vazhdimisht po punon me të dyja palët për të siguruar zbatimin e kësaj dhe të gjitha marrëveshjeve të arritura brenda Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”
Ndërsa, pasi t’i dërgohet BE-së do të diskutohet në takimin e radhës ndërmjet presidentit kosovar Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, për të gjetur zgjidhjen përfundimtare.
Sipas institucioneve të BE’së nuk ka tensione të cilat do të rrezikonin objektivat e të dy shteteve.
“Në një kohë kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin gjithëpërfshirës, BE pret që - ashtu siç është rënë dakord nga dy presidentët gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë të Dialogut më 18 Korrik në Bruksel – të mos ketë tensione në terren që do të rrezikonin objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në përgjigjet e zëdhënëses së BE-së
Por kreu i qeverisë kosovare ende nuk e dinë se çfarë përmban ky raport punues.
Kjo krejt për arsyen se procesverbalet e punës i janë dorëzuar Ministrisë se Administratës se Pushtetit Lokal, për përkthim por që ende nuk është dërguar në Zyrën e Kryeministrit.