Ragmi Mustafa pro shkëmbimit të Luginës me Leposaviqin e Zubin Potokun (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se është pro që Leposaviqi e Zubin Potoku t’i jepen Serbisë...

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se është pro që Leposaviqi e Zubin Potoku t’i jepen Serbisë, në shkëmbim me Luginën e Preshevës, që t’i bashkohet Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se Lugina duhet t’i bashkohet Kosovës, edhe nëse e humb Zubin Potokun e Leposaviqin.

“Në këtë fushë edhe mund të bëhet një rishikim i kufijve, sepse ata nëse nuk duan të jenë në Kosovë sikurse që edhe ne nuk po duam të mbetemi nën Serbi, pse të mos ndodh rishikimi i kufijve të vendosur me dhunë”, tha për RTV Dukagjinin, Ragmi Mustafa – Kryetar i PDSH.

Mustafa thotë se po të ndodhte kjo marrëveshje, do të ishte historike dhe do tu hapte perspektivën dyja vendeve.

“Kjo do të ishte një shembull shumë i mirë në Evropë dhe në botë që dy shtete që historikisht kanë qenë në armiqësi në fund e zgjidhin problemin në mënyrë paqësore dhe njohin njëra tjetrën, do të jetë një perspektivë shumë e madhe”, deklaroi Mustafa.

Ai tha se po të humbet kjo mundësi që Lugina të bashkohet me Kosovën, ato treva do të boshatisen përfundimisht, dhe këto toka historikisht shqiptare, do t’i mbeten Serbisë.