Është hapur Panairi i Punës 2017 në Mitrovicë, me ç’rast janë prezantuar mbi 310 vende të lira pune nga gjithsej 46 sipërmarrje.
Besmir Salihu, drejtor i Zyrës së Punësimit në Mitrovicë, pasi ka falënderuar organizatorët e këtij panairi, ka folur për rëndesën e këtij panairi, ku punëdhënësit dhe punëkërkuesit kanë mundësi të marrin informacione për tregun e punës.
Ndërsa në fjalën e tij Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, dhe tha seë ndjehet i kënaqur që është pjesë e hapjes së këtij panairi, i cili është një mundësi e mirë si për bizneset ashtu edhe për punëkërkuesit që të përfitojnë nga njëri tjetri.
Ministri Reçica, tha se ky panair i punës konsiderohet të jetë mjaft i rëndësishëm për ndërmarrjet e Mitrovicës e po ashtu edhe për të rinjtë, si një mundësi e mirë për zhvillim të karrierës ku dihet se kërkesat për punë ditëve të sotme janë të mëdha.
Ky panair u organizua nga Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.