Veseli: S’ka ndarje, veriu do të jetë gjithmonë i yni

Kosova është një dhe nuk ka veri e jug. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë dhe në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja...

Kosova është një dhe nuk ka veri e jug. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë dhe në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja.

Këto komente i ka bërë sot në Mitrovicë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili së bashku me ministrat Hamza dhe Gashi vizituan Stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’.

Ai premtoi se shpejt do të fillojë ndërtimi i të gjitha shtëpive të djegura në veri, duke thënë se secili qytetar, pavarësisht nacionalitetit, mund të jetojë lirshëm ku të dojë në Republikën e Kosovës.

“Veriu do të jetë gjithmonë i yni… Shumë shpejt, në bashkëpunim edhe me kryetarin Goran Rakiq do të fillojë ndërtimi i të gjitha shtëpive të cilat janë të djegura…Ajo që është si mesazh, çdo shtëpi e cila është djegur, çdo qytetar, kushdo ku të dojë ka me jetuar. Ky është vendi i Kosovës, shqiptarët dhe serbët ku të duan kanë me jetuar…Kosova është një dhe nuk ka veri e jug… Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë. Në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja asnjëherë. Ne jemi duke komunikuar në mënyrë që komunitetet të integrohen sa më mirë në shtetin tonë, në Republikën e Kosovës”, tha ai.