Bahtiri, Veselit: Je injorant, ju e ndatë Mitrovicën në jug dhe veri

Raportet ndërmjet Agim Bahtirit dhe Kadri Veselit kanë qenë të tensionuara në vazhdimësi,

Raportet ndërmjet Agim Bahtirit dhe Kadri Veselit kanë qenë të tensionuara në vazhdimësi, qysh nga koha kur i pari kandidoi për herë të parë për kryetar të Mitrovicës.

Sot Agim Bahtiri ka komentuar vizitën e Kadri Veselit në Mitrovicë duke e quajtur madje edhe injorant.

I pari i Mitrovicës në një shënim në Facebook ka thënë se Veseli në vend se të frymëzohet nga emri i Adem Jasharit për vepra të mira, ai tregohet përsëri injorant.

“Kadri Veseli paska dalur këndej pari nga Mitrovica, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, e në vend se të e shikoj emrin e ndritur të Komandantit e të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri”.

Nënkryetari i AKR-së ka thënë se Mitrovica nuk ka pasur jug dhe veri, por të tillë e ka bërë Veseli me shokë.

“Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”.

Bahtiri në fund i është drejtuar Veselit se kishte një merak që nuk mundi ta takojë, për siç thotë ai për t’i treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që PDK ka ikur nga Mitrovica.

“Ju paskit dal në qytetin tuaj, aty ku je lindur e je rritur, e më mbeti merak të ju takoj për t’iu treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që nga viti 2013 kur ju ikët nga Komuna si Parti Demokratike dhe kjo ishte gjëja më e shtrenjtë që ia dhuruat Mitrovicës, andaj ju falënderoj në emër të qytetareve për këtë mirësi”