Serbia me ‘listë të kuqe’ kundër qytetarëve të Luginës

Serbia me ‘listë të kuqe’ kundër qytetarëve të Luginës

Përveç akademik Hivzi Islamit, autoritetet serbe nuk kanë lejuar të hyjnë në shtetin e tyre as qytetarë të tjerë të Luginës së Preshevës, që mbajnë pozita të larta në administratën e Kosovës. Edhe tre zyrtarë të tjerë janë ndalur në kufij me arsyetimin se janë në një listë të ashtuquajtur të “kuqe” që ua ndalon hyrjen në vendlindje. Kjo ndalesë ka shtyrë Ministrinë e Jashtme të Kosovës që të kërkojë reciprocitet. Ndërsa analistët thonë se Serbia me këtë po e shkel Marrëveshjen e Brukselit.

Nuk është vetëm Akademik Hivzi Islami që është ndaluar të hyjë në territorin e Serbisë. Siç duket Serbia po praktikon një masë të tillë edhe për qytetarë të tjerë që janë nga Lugina e Preshevës, e që në Kosovë punojnë si zyrtar të lartë të institucioneve. Xhemail Halili, drejtor i prokurimit në Kuvendin e Kosovës, thotë se një javë më parë ai nuk u lejua të shkonte në vendlindjen e tij në Preshevë, me arsyetimin se emri i tij është në një listë të autoritetet serbe që e quajnë të “kuqe”.

Ai thotë se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe dy kolegëve të tij të cilët janë nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë në Prishtinë, dhe se nuk kanë marrë asnjë shpjegim deri më tani.

Nëse Bashkimi Evropian nuk ndërhynë për të obliguar Serbinë të respektojë marrëveshjet të cilat vet i ka nënshkruar, atëherë Kosova do të funksionoj mbi bazën e reciprocitetit. Kështu tha për RTK-në përmes telefonit Jetlir Zyberaj, këshilltari i zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli.

Sipas analistit Azem Vllasi, Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke i përmendur edhe rastet kur nga pala serbe janë ngritur aktakuza për qytetarë të Republikës të Kosovës.

Ndërsa për analistin Ymer Mushkolaj problemi qëndron te marrëveshja e nënshkruar me Serbinë, një marrëveshje që sipas tij nuk është në favor të Kosovës, sepse është dashur që në fillim të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Edhe pse e cilëson të vonshëm si proces, Mushkolaj thotë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do t`i  kishte efektet e veta, dhe do t`i dërgonte mesazh Serbisë që nuk mund t`i trajtojë kështu qytetarët kosovarë.

Ndryshe dje, Akademik Hivzi Islamit, i lindur në Letovicë të Bujanocit, i është refuzuar dy herë shkuarja në vendlindje. Islamit nuk iu lejua të shkojë në Preshevë edhe më 8 gusht, ndërsa familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të – u lejuan. Policia kufitare në të dy rastet nuk ka dhënë ndonjë shpjegim.