BMW i8 Roadster është paralajmëruar qysh në vitin 2012 dhe pesë vjet më vonë kemi mundësinë që të shohim versionin e prodhimit të këtij automobili.
Modeli i ri i BMW-së ka motor të kombinuar turbo-benzinë me tre cilindra, elektromotor dhe bateri.
Motori benzinë prodhon 231 kuaj fuqi, ndërsa ai elektrik 143 kuaj fuqi. Fuqia e përgjithshme e sistemit motorik është 374 kuaj fuqi.
BMW i8 Roadster peshon 1.593 kg dhe është më i rëndë se sa i8 standard për 60 kilogramë.
Bateria ka kapacitet 11,6 kWh, që i mundëson automobilit të kalojë 28 km vetëm me ndihmën e energjisë elektrike.
BMW i8 Roadster nga 0 deri 96 km/h arrin për 4,4 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është kufizuar në 250 km/h.
Vozitësit kanë në disponim pesë regjime të vozitjes: Comfort, Sport, Eco Pro, si dhe mënyrat elektrike Comfort dhe Eco Pro.
Në panairin e veturave në Los Anxhelos është prezantuar edhe versioni i avancuar BMW i8 Coupe, i cili ka specifika të njëjta të sistemit motorik, derisa nga 0-96 km/h arrin për 4,2 sekonda. Pritet që BMW i8 Roadster dhe Coupe për 2018 të arrijnë në sallonet e shitjes në pranverën e vitit të ardhshëm.