BE-ja e pabarabartë me Ballkanin – i jep përparësi Serbisë e Malit të Zi

Politico: Brukseli nuk parashikon që për të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit – Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedonin...

Politico: Brukseli nuk parashikon që për të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit – Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e Serbinë – të ketë anëtarësim në kohë të njëjtë, nëse veç do të ketë ndonjëherë për disa prej tyre.

Bashkimi Europian e ka të rëndësishme t’u tregojë të gjitha shteteve të Ballkanit se ende kujdeset për këtë pjesë, por dashurinë e BE-së nuk po e ndjejnë të gjithë.

Kështu fillon një shkrimi i gjatë në Politico për gjashtë vendet e Ballkanit dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Europain.

Brukseli është akuzuar për vite me radhë se s’u ka kushtuar mjaftueshëm rëndësi gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë t’i bashkohen organizatës. Madje, pas marrjes së detyrës në vitin 2014, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pati deklaruar se BE-ja nuk do të pranojë në gjirin e saj asnjë anëtarë të ri në afatin prej pesë vjetësh.

Megjithatë, muajt e fundit BE-ja ka rishfaqur një interes për Ballkanin, pasi u alarmuan nga tentimet e Rusisë për të qenë më influencuese në rajon, duke provuar edhe të përkeqësojë raportet mes vendeve Ballkanike që jo shumë kohë më parë kanë qenë në luftë.

Tani liderët e BE-së kanë shfaqur shenja se shtegu për në Bruksel përsëri është i hapur.

Juncker, në fjalimin e tij në shtator, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një adresim të tij, treguan se cili është vizioni për të ardhmen e Europës. Të dy ata theksuan se organizata duhet të jetë e hapur për anëtarë të ri nga Ballkani Perëndimor.

Juncker dhe presidenti i Parlamentit Europain, Antonio Tajani, pritet edhe ta vizitojnë regjionin ballkanik në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërsa nga Bullgaria kanë thënë se duan ta ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të ecë përpara në rrugën e anëtarësimit dhe e kanë këtë si prioritet në gjashtë muajt e presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, që Bullgaria e fillon në janar.

Por, Brukseli nuk parashikon që për të gjitha gjashtë shtetet – Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e Serbinë – të ketë anëtarësim në kohë të njëjtë, nëse do të ketë ndonjëherë për disa prej tyre.

Përndryshe, Komisioni ka emëruar Serbinë dhe Malin e Zi si “prijatarë” dhe e ka për qëllim që këto dy shtetet t’i anëtarësojë në vitin 2025, nëse jo më herët.

Për këtë tretman ndryshe ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka deklaruar se Serbia po trajtohet me preferencë pasi ka luajtur me kartën e afrimit me Rusinë.

“Beogradi ka përfituar shumë duke luajtur me kartën alternative – që është Moska, Rusia. Mesazhi për tërë regjioni tonë duhet të jetë i qartë, jo të luhet me standard të dyfishtë”, ka pohuar Haradinaj sa ishte në vizitë në Bruksel.

Ndërsa presidenti, Hashim Thaçi, ka pohuar se kjo strategjia e “prijatarëve”, mund të jetë islamofobike, pasi vendet me shumicë myslimane po lihen prapa krahasuar me dy vendet ortodokse.

Përveç Kosovës, vendet tjera nuk kanë qenë kaq kritike, por kanë thënë se kjo strategji çon në konfuzion.

Kurse Mali i Zi, përkundër se i caktuar si një nga dy shtetet lidere në Ballkan, ka shprehur pakënaqësi në krahasimin e tyre me Serbinë.

Ata po ndjehen të irrituar që nuk janë kategorizuar si të vetëm në rrugën drejt BE-së, por janë bërë bashkë me Serbinë.

“Ne jemi në proces shumë më herët se ata (serbët), dhe ne jemi gati t’i përmbyllim negociatat, kur ata veç sa po fillojnë”, ka deklaruar Bojan Sarkiq, ambasadori i Malit të Zi në BE.

Në shkrimin e Politicos janë vendosur edhe disa statistika rreth gjashtë vendeve dhe ndjenjave të njerëzve të këtyre shteteve në raport me BE-në, njofton Klan Kosova.

Popullata nga vendet që janë më larg anëtarësimit si Kosova, kanë gjëra më të mira për të dhënë për këtë organizatë, sesa vendet që janë afër anëtarësimit si Mali i Zi e Serbia.