Në Tiranë sot në kuadër të delegacionit të Komunës së Preshevës, po marrim pjesë në takimin e organizuar nga Ministri për Evropën dhe punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë Ditmir Bushati.
Si kryetar i Komunës dhe si pjesë e zërit të qytetarëve të këtij vendi, ia shpalosa të gjitha problemet me të cilët ballafaqohemi ne si komunë.
Ndër temat kryesore, ishte edhe ajo e shkëmbimit të territoreve dhe përfshirja e Luginës së Preshevës si pjesë e dialogut në mes dy shteteve Kosovë-Serbi. Ne si komunë, duam që Referendumin e vitit 1992 t’a kemi si udhërrëfyes së dialogut në mes këtyre shteteve dhe duam bashkim me Kosovën si tërësi e plotë territoriale.
Komuna e Preshevës ka nevojë të ketë një fond të veçantë nga shteti shqiptar, si mbështetje për realizimin e projekteve me rëndësi vitale për popullatën tonë, në sferat kulturore, arsimore, ekonomike, atë të shëndetësisë etj.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për pakicën shqiptare në Serbi, Serbia duhet të zbatojë një politikë më të moderuar ndaj pakicave kombëtare, në nivelin e të gjitha obligimeve ndërkombëtare që dalin nga korniza e konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe nga karta Evropiane për pakicat.
Ne si komunë kërkojmë nga Serbia që ta përmbushë këtë detyrim dhe t’i respektojë të drejtat e shqiptarëve.