Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë homologut të tij amerikan, Mike Pompeo, në një telefonatë se qasja “shkatërruese” e Uashingtonit në lidhje me Moskën po e vështirëson bashkëpunimin midis dy shteteve.
Lavrov i ka thënë Pompeos se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë menjëherë “persekutimin” e shtetases ruse, Maria Butinas, e cila po mbahet nga autoritetet amerikane nën dyshimin se ajo është agjente e inteligjencës ruse, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Butina, një avokate 29 vjeçare e cila ishte duke jetuar në Uashington D.C, u arrestua në korrik pasi që dyshohej se ajo kishte zhvilluar lidhje me disa qytetarë amerikanë dhe ishte munduar që të infiltronte grupe politike.
Prokurorët amerikanë paraqitën prova që sugjeronin se ajo kishte lidhje me agjencitë e inteligjencës ruse dhe po financohej nga oligarkët rusë.
Autoritetet ruse thonë se rasti është i fabrikuar dhe i motivuar politikisht.
Ky rast ka bërë që të thellohen edhe më tej tensionet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi që kjo e fundit e ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane gjatë vitit 2016.