Të enjten vendoset për ekstradimin e shtetasit turk, Prokuroria Speciale vazhdon t’i nënshtrohet Erdoganit

Gjykata Themelore e Prishtinës pritet që të enjten të vendosë nëse shtetasi turk, Ugur Toksoy, do t'iu ekstradohet autoriteteve të Erdoganit...

Gjykata Themelore e Prishtinës pritet që të enjten të vendosë nëse shtetasi turk, Ugur Toksoy, do t'iu ekstradohet autoriteteve të Erdoganit. Toksoy ishte arrestuar në Prizren, në fund të tetorit, dhe krimi i vetëm që ka bërë, sipas një Prokurorie lokale të Turqisë, është se mbështet Fetullah Gulenin. Megjithatë, dy ditë para kësaj seance, Prokurori Special i Kosovës, Ali Rexha, konfirmon se do të vazhdojë t’u nënshtrohet "urdhrave" të Erdoganit. 

Ugur Toksoy, një teolog nga Turqia, edukator në një organizatë në Kosovë, ka më shumë se një muaj që mbrohet në liri, pasi ia ofroi 5 mijë euro dorëzani Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila të enjten pritet të vendosë për ekstradimin apo jo të tij në vendlindje. 

Caktimin e kësaj seance për të enjten e ka konfirmuar për Gazetën Express avokati i tij mbrojtës, Adem Vokshi. 

Ai tha se është i bindur se kërkesa e Turqisë për klientin e tij do të refuzohet nga gjykata në Kosovë. 

Toksoyt, që fillimisht iu caktuan 40 ditë paraburgim, me aktvendimin për lirimin e tij, i është konfiskuar edhe pasaporta, derisa të përfundojë procedura e ekstradimit.

Ai është arrestuar më 27 tetor 2017, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata lokale e Hatayt në Turqi, e në nëntë rreshta të të cilit dokument, supozohet se shtetasi turk i arrestuar në Kosovë Ugur Toksoy është pjesë e organizatës FETO, të cilën Erdogani e konsideron përgjegjëse për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.

Në bazë të këtyre rreshtave të urdhërarrestit të kësaj gjykate, që Kosova e kishte pranuar zyrtarisht para më shumë se dy javëve para se të ndodhë arrestimi, Prokurori Special i Kosovës Ali Rexha vazhdon së kërkuari ekstradimin e Toksoyt në Turqi.

Rexha të martën përmes telefonit tha për Gazetën Express se do t’i qëndrojë prapa kërkesës së tij për ekstradim të teologut turk në vendlindjen e tij që e akuzon atë për terrorizëm.

“Pritet me më ardh do prova prej Turqie. Po këqyrim tash”, tha Rexha, dy ditë para se të mbahet seanca. 

Momentalisht ai konfirmon se përveç atij urdhërarresti, nuk kanë diçka tjetër ende për t’i ofruar gjykatës. 

E për kërkesën e tij që t’i qëndrojë mbrapa ekstradimit, Prokurori Special provon ta lërë përgjegjës kryeprokurorin e Shtetit. 

“Na duhet mi nejt mas asaj kërkese. Me siguri duhet. Na hala me Kryeprokuror nuk jemi marrë vesh. Kryeprokurori çka të na thotë”, thotë prokurori Special Ali Rexhaj. 

E kur i kërkohen sqarime për këtë deklarim, ai ndërpret lidhjen telefonike, duke mos u përgjigjur më tutje në thirrjet e gazetës. 

Megjithatë, për këtë rast vetë Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka folur javën e shkuar në një intervistë për televizionin publik. 

“Nëse ata ndiqen për vepra penale politike, atëherë ju siguroj që autoritetet e Republikës së Kosovës nuk do t’i ekstradojnë në vendin kërkues”, ka deklaruar Lumezi për RTK-në. 

 Më 2 nëntor 2017, raportoi se urdhërarresti për Ugur Toksoyn, nuk ka të bashkangjitur asnjë fakt që dëshmon se edukatori turk i një institucioni në Prishtinë ka kryer veprimet për të cilat është arrestuar. Megjithëse, Policia, Prokuroria e në fund edhe Gjykata kosovare i është bindur kësaj urdhërese të Erdoganit. 

Përveç, Toksoyt, urdhërarresti kërkon edhe arrestimin e një shtetasi tjetër turk, banor i Kosovës, e që dyshohet për të njëjtat vepra penale, sikurse edhe 6 shtetas turq tjerë që kërkohen nga e njëjta gjykatë, por që vendbanimi i tyre është në disa shtete tjera të botës.

Në rast se Gjykata Themelore e Prishtinës, të enjten vendos për ekstradimin e tij, ai mund të dënohet nga 5 deri në 10 vjet burgim maksimum sipas ligjit antiterror të Turqisë.

Krimi i vetëm që dyshohet se ka kryer Toksoy dhe personat tjerë të përndjekur nga i njëjti urdhërarrest, që sipas Turqisë janë financues të organizatës FETO, është se janë përkrahës të Fetullah Gylenit – kundërshtarit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe punojnë në institucionet arsimore-kulturore që organizata e Gulenit i ka të përhapura pothuajse në gjithë botën. Madje edhe FETO është emërtim i Erdoganit, pasi organizata në fjalë emrin zyrtar e ka "Hizmet".

Fetullah Gulen, që sot për presidentin turk Recep Tayipp Erdogan është ideolog i një grupimi terrorist, dikur ishte partner i ngushtë i tij në politikë. 

Imami Fethullah Gylen udhëheq lëvizjen “Hizmet” nga ekzili i tij në ShBA. Lëvizja e tij është edhe lëvizje politike, edhe korporatë biznesesh e fokusuar shumë në krijimin e institucioneve private të arsimit, përmes të cilave shpërndahen mësimet e këtij kleriku.
Në vitin 2016, pas puçit ushtarak në Ankara e Stamboll, edhe pse para këtij akti të dështuar të ushtrisë për ta rrëzuar islamikun Erdogan nga pushteti, partia AK Party e Erdoganit dhe vetë ai si President kishin filluar një fushatë të egër kundër kësaj lëvizjeje. 

Ata e akuzonin se “Hizmet” si lëvizje kishte arritur të krijonte një shtet paralel brenda shtetit turk, me policë, gjykatës e prokurorë që punonin në institucionet e shtetit turk, por për interesat e Fethullah Gylenit.

Lëvizja e Gulenit ka shtrirje edhe në Kosovë, përmes shkollave private që ka krijuar me vite këtu. Madje, një nga kërkesat e para të Turqisë për Kosovën pas puçit të dështuar ishte edhe mbyllja e këtyre shkollave të lëvizjes “Hizmet”, kërkesë që me automatizëm nuk iu pranua nga Kosova, por veprimet e fundit duken si lëvizje në drejtim të përmbushjes së këtyre kërkesave të Erdoganit.