Ministrja e Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha po qëndron në Bruksel ku edhe po mbahet takimi i Komisionit LIBE në të cilin do të diskutohet dhe nesër do të votohet për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo ka zhvilluar takim me euro deputeten Tanja Fajon, e cila është Raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian.
Gjatë këtij takimi, Hoxha ka theksuar se Kosova me përkrahjen e saj do të zgjerojë hapësirat e reja të bashkëpunimit dhe avancimit të gjendjes dhe procesit integrues, ku si hap vendimtar është liberalizimi i vizave.
Ajo po ashtu ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
“Në takim, Ministrja Hoxha ka vënë në dukje plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim nga udhërrëfyesi si dhe pritjet për vendimet pozitive për liberalizimin e vizave, sidomos pritjet që komisioni LIBE të votojë nesër pro liberalizimit”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Integrimeve Europiane.
Ndërsa Fajon ka thënë se është e lumtur që po ri konfirmohen të arriturat e Kosovës dhe se qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lëvizjen e lirë ashtu si krejt qytetarët tjerë të Europës.
Ajo ka theksuar se puna më e madhe mbetet për t’u bërë, që procesi integrues të vijojë me hapa edhe më të shpejtë, duke zbatuar reformat në drejtësi, në ekonomi dhe reformat tjera si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.