Para disa ditësh shkrimtari nga Prizreni Albatros Rexhaj ka vizituar qytetin e Preshevës, ku me këtë rast ka parë nga afër bibliotekën e qytetit të Preshevës ''Mehmet Jusufi'' si dhe Shtëpinë Botuese ''Albas''.
Pas vizitës në Televizionin Aldi ai dha një intervistë ekskluzive për televizionin tonë ku na ka bërë të ditur dhe përshtypjet e tij rrethë kësaj vizite.
Dalja prej metropolit si Tirana dhe Prishtina dhe ardhja e tij në një qytezë të vogël si Presheva ka qenë shumë frymëzuese, ai e përshkruan ardhjen e tij në Preshevë me personazhin në librin e tij ''Kthimi'' kur shkon te qyteza B që është vendi ku ndodhin ngjarjet. Ajo që i ka bërë përshtypje është përpjekja e njerëzve për organizimin e jetës së tyre.
Rexhaj theksoi që ka pasur ftesa që të vi dhe të vizitojë Preshevën që nga Panairi i librit në Prishtinë, ''unë jam i njohur me stilin joformal të komunikimit, kur vizitova dhe bibliotekën e qytetit jam habitur nga mënyra e organizimit sepse ishte e super organizuar prandaj kam vendosur që të vi prapë më 17 shtator''.
Në Ditën e Bibliotekës më 17 shtator do të rikonstruktojë një situatë të librit ''Kthimi'' ku personazhi im shkon dhe bën një takim me lexuesit e tij ku flasin për gjithçka, për tema të vogla por të rëndësisë së madhe, kualitetin e jetës, lumturinë e jetës, tha Rexhaj.
Albatros Rexhaj aktualisht është duke punuar në dy projekte, njëri është një tip romani që ka në plan ta nxjerrë vitin e ardhshëm ndërsa në ndërkohë po punon në një projekt tjetër të quajtur letra e lamtumirës i cili do jetë në verzionin elektronik.