Opozita me qëndrim të kushtëzuar ndaj Kuvendit, Vasili: Frikacakët janë në Tiranë

Në përfundim të mbledhjes së opozitës së bashkuar në qytetin e Shkodrës, për median ka folur Petrit Vasili i LSI-së, i cili dha dhe linjat

Në përfundim të mbledhjes së opozitës së bashkuar në qytetin e Shkodrës, për median ka folur Petrit Vasili i LSI-së, i cili dha dhe linjat që do të ndjekë opozita në aksionin e saj politik.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se Edi Rama është një frikacak që nuk denjon të vijë në Shkodër, në kohën kur qytetin po e godet në mënyrë të përsëritur krimi dhe rastet e shumta të vrasjeve.

Sipas Vasilit, opozita do të vijojë të mbajë një qëndirm të kushtëzuar me parlamentin, ashtu siç bëri edhe këtë të hënë ku në Tiranë u hap zyrtarisht sesioni i ri i Kuvendit.

“Kryeministri më frikacak. Së bashku me ata që drejtojnë grupin e tij, që sot hapi një parlament grabitqar, armiq të popullit. Marrëdhënia me parlamentin do të jetë e kushtëzuar, zero kompromis. Faktet tregojnë inkriminimin e kryeministrit.  

Frikacakët janë në Tiranë. Kjo luftë e papajtueshme, nuk ndalet deri në çlirimin e Shqipërisë. Reagimi do të jetë shumë i fortë, format do i shikoni. Opozita nuk ka bojkotuar, ka marrëdhënie të kushtëzuar."-tha Vasili.