Kohë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se nuk mund të marrë edhe përgjegjësinë e dialogut meqë duhet të bëjë punë tjera brenda vendit.
Sonte në intervistën për Rubikon në KTV, ai foli prapë rreth këtij procesi duke thënë se përgjegjësia e dialogut është njëjtë si të jesh ministër apo kryetar i një vendi. Kësisoj, ka thënë Haradinaj, e kishte të pamundur që në të njëjtën kohë të jetë kryeministër dhe përfaqësues i Kosovës në dialog.
Ai tha se u angazhua që të kuptojë drejt kërkesat edhe të opozitës duke emëruar kështu ekipin për negociata, ku ka lënë hapësirë edhe për përfaqësuesit e opozitës. Sipas tij, opozita nuk e donte presidentin e vendit në një ekip uniteti dhe kjo është çfarë ai ka bërë.
“Jam deklaru që nuk mundem me marrë pjesë se është agjendë e madhe. Është si të jesh kryetar i vendit edhe ministër i Shëndetësisë. Nuk munden m’i kry dy pune. Agjendë e dialogut sot është si një ministri. E kemi Limajn që ka pranu me marrë përgjegjësinë”, ka thënë Haradinaj.
“Qeveria e ka delegu një delegacion me emra. Ata mund të thonë që jam unë patericë e Thacit, edhe Limaj është patericë e Thacit po tash cka të bëjmë, a të shkojmë t’i marrim hua njerëzit për çështje të Kosovës?” u shpreh tutje kryeministri Haradinaj.
Haradinaj: A ta çoj edhe në det opozitën
Me iniciativën për emërimin e ekipit qeveritar për negociata, kryeministri Haradinaj u quajt nga opozita “patericë” e presidentit Hashim Thaçi.
Në intervistën dhënë për Rubikon në KTV, Haradinaj tha se nuk mund të jetë ai “patericë” e Thaçit kur nuk ishte ai që ia bëri kuorumin dhe e votoi për president.
“E kuptoj kompleksin e tyre ndaj Thaçit. Unë nuk kam votuar për Thaçin, gjysma e opozitës ja kanë bërë kuorumin, nëse ka patericë të Thaçit atëherë është LDK”, ka thënë Haradinaj.
“Kur ua kam dërguar platformën më kanë thënë pse është Thaçi, tani nuk e keni Thaçin, ku është problemi. Një herë e dhamë platformën, jemi detyruar me e largu sepse thanë po na pengon unitetin. Vetë janë ankuar, heke një herë, ta bëjmë një të përbashkët. Tash e kanë një delegacion ku nuk është emri i Thaçit. Çka me ju bo, a t’i çoj edhe në deti opozitën”, ka ironizuar kryeministri duke ju referuar kërkesave të opozitës.