Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sipas marrëveshjes së parimeve të arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka nevojë që të marrë leje nga autoritetet e Kosovës për vizitë tek bashkëqytetarët e tij serbë në Kosovë.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në mars të këtij viti kishte sqaruar për media pas arrestimit të Marko Gjuriq, se sipas marrëveshjes zyrtarë serbë vetëm duhet të paralajmërojnë vizitën. Por në asnjë moment Tahiri nuk kishte folur për leje paraprake.
”Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel parasheh që vizitat e tilla të paralajmërohen. Mirëpo, duhet të respektohen kushtet e marrëveshjes për paralajmërim të ndonjë vizite”, pati thënë ajo pasi Gjuriq ishte arrestuar nën arsyetimin se nuk ka pasur leje për vizitë në Kosovë.
”Nëse shkelen kushtet e marrëveshjes, atëherë pala tjetër mund ta refuzojë kërkesën për vizitë”, pati thënë Tahiri.
Presidenti serb pritet që të vizitojë Kosovën në datat 8 dhe 9 shtator të këtij viti.
Serbia nuk kishte lejuar hyrjen e Behgjet Pacollit, ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, që ishte ftuar në Novi Pazar.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se Vuçiqit dhe ekipit të tij “i është dhënë leja”, dhe se ai do të përcillet nga Policia e Kosovës.
Mirëpo Policia e Kosovës në një njoftim për media mohon të ketë marrë konfirmim zyrtar për vizitën e Vuçiq në Kosovë.
Policia e Kosovës ende nuk është informuar nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç ka marr leje për të qëndruar në Kosovë gjatë kësaj fundjave.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Policisë së Kosovës rreth planit operativ për përcjelljen e vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, por askush nuk ka folur.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani në fillim ka thënë se duhet të marrin përgjigje nga Ministria nëse i është dhënë leja pastaj të dalin me planin operativ.
KosovaPress ka tentuar edhe në orët e pasdites të marr një përgjigje por që zyrtarët e informimit në këtë institucion nuk u janë përgjigjur thirrjeve.
Ndryshe, më 8 dhe 9 shtator pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të qëndrojë në Kosovë dhe do të jetë i shoqëruar nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Lajmin se i është dhënë leja për vizitë në Kosovë, për KosovaPress e ka konfirmuar këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj.