Kurti: Protestat janë të domosdoshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe zyrtarja nga sekretariati për marrëdhënie

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe zyrtarja nga sekretariati për marrëdhënie me jashtë, Diona Budima, pritën sot në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

“Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me ç’rast ambasadori slloven u interesua edhe për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet në komunikatën dërguar nga VV-ja.

Kryetari Kurti, mes të tjerash, shprehu shqetësimin e tij të thellë ndaj dialogut pa parime që po zhvillon presidenti Thaçi, i cili, pa mandat dhe pa strategji transparente, diskuton për korrigjim kufijsh e kompromise të dhimbshme.

“Ky format autoritar i dialogut është i padrejtë, i rrezikshëm dhe, si i tillë, i papranueshëm. Duke qenë se institucionet injorohen dhe Kuvendi bojkotohet, protestat qytetare janë bërë të domosdoshme për të mbrojtur sovranitetin e Republikës së Kosovës kundrejt pazareve të autokratëve Thaçi dhe Vuçiq”, ka thënë Kurti.

Në fund të takimit, të dy palët theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale mes Kosovës e Sllovenisë, si dhe ranë dakord për komunikim e bashkëpunim të vazhdueshëm.