Thaçi e Vuçiq sot pritet të takohen në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen sot në Bruksel.

Ndërmjetësuese dihet se do të jetë Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, nuk është bërë e ditur ora e takimit, megjithëse ai pritët të ndodh në mëngjes.

Nuk është bërë publike tema e diskutimit mes presidenteve, mirëpo është e mundur të diskutohet edhe për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, temë kjo e cila ka ngritur debat në opinionin publik. Gjithashtu në mediat fqinje është thënë se do të diskutohet edhe tema e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Kujtojmë, se gazeta serbe, Vecernje Novosti raportoi mbrëmë se u është “konfirmuar” se vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë “me siguri do të anulohet”.

“Autoritetet në Prishtinë e kanë njoftuar Beogradin se presidentit të Serbisë do t’i ndalohet që ta vizitojë liqenin e Ujmanit (Gazivodës) pasi që paraqet provokim përtej të cilit Aleksandar Vuçiq nuk mund dhe nuk dëshiron që të kalojë. Presidenti serb është afër vendimit që ta anulojë vizitën në Kosovë dhe se ka urdhëruar ndërprerjen e çdo kontakti me Prishtinë, ndërsa për vazhdimin e bisedimeve të Brukselit, takimi që është planifikuar të mbahet të premten (nesër) me siguri se do të anulohet”, thekson gazeta serbe, transmeton lajmi.net.

Kjo gazetë është e afërt me Vuçiqin dhe në shumë raste e ka përcjellë mesazhin e tij duke i thirrur në “burime”.

Në anën tjetër autoritetet kosovare i kanë dhënë leje Vuçiqit që ta vizitojë Kosovën më 9 shtator