Kryeministrja serbe: Bashkësia ndërkombëtare po e vë në provë durimin e Serbisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos ushtrojë presion mbi durimin dhe mirëkuptimin e Serbisë...

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos ushtrojë presion mbi durimin dhe mirëkuptimin e Serbisë, por të kuptojë seriozitetin e situatës dhe të veprojë në përputhje me rrethanat.

Ajo ka vë në dukje se duhet durim i madh për të diskutuar me përfaqësuesit aktuale të popullit shqiptar, të cilat janë të rrejshëm, të papërgjegjshëm, të paparashikueshëm dhe nuk respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara, transmeton lajmi.net.

Ajo theksoi se durimi i pakufishëm i Serbisë ka bërë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar të heshtin dhe të mos e drejtojnë gishtin nga Prishtina, e cila, sipas saj, nuk po i përmbush marrëveshjet e Brukselit qe pesë vjet.

Ajo ka thënë se nuk e kupton heshtjen e Bashkimit Evropian, që sipas saj po i shërben Prishtinës për më shumë se pesë vite për të mos respektojë marrëveshjet për vizita të zyrtarëve serb në Kosovë.

Sipas kryeministres serbe, Aleksandar Vuçiq ishte njeriu që bëri më shumë për të ndërtuar marrëdhënie të mira ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve sesa çdo politikan tjetër në njëqind vjetët e fundit.

Kjo deklaratë e Bërnabiq vjen pas vendimit  të autoriteteve kosovare që Vuçiqit t’i lejohet vizita në Kosovë por jo edhe në Liqenin e Ujmanit.

Për kërkesën e Vuçiqit që ta vizitojë Ujmanin gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka folur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se nuk ka një bazë për një kërkesë të tillë.

Ndërkohë Marko Gjuriq ka publikuar një email zyrtar që e ka pranuar nga autoritetet kosovare, ku thuhet se Vuçiqit i ndalohet vizita në Liqenin e Ujmanit.