Vuçiq u largua nga ndërtesa e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në Bruksel pas orës 12: 30.
Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, duke iu referuar burimeve diplomatike raporton se ai ka shkuar drejt në aeroport dhe u kthye në Beograd.
Pas takimit të Vuçiqit me Mogherinin, Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovë njoftoi se bisedimet me palën kosovare nuk do të vazhdojnë sot.
“Presidenti vendosi ta bëjë këtë, pas të gjitha mashtrimeve, kërcënimeve dhe gënjeshtrave të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, Mogherini tashmë ka realizuar takimet ndaras me dy presidentët.
Menjëherë pas lajmit se s’do të ketë takim mes presidentëve, Gjuriq ka publikuar një email të cilin e ka pranuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, ku thuhet se presidentit të Serbisë nuk i lejohet vizita në Liqenin e Ujmanit. Kjo edhe është arsyeja që e ka bërë palën serbe ta anulojë takimin në Bruksel.