Presidenti Trump mund të shkarkohet me anë të amandamentit 25

Pas artikullit të zyrtarit të lartë anonim të administratës Tramp, të publikuar nga New York Times, senatorja e Massachusetts, e Partisë Demokratike,

Pas artikullit të zyrtarit të lartë anonim të administratës Tramp, të publikuar nga New York Times, senatorja e Massachusetts, e Partisë Demokratike, Elizabeth Warren u shpreh për CNN se nëse zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se presidenti nuk është në gjendje të jetë i tillë, atëherë ata duhet të përdorin amendamentin e 25’të të Kushtetutës amerikane që lejon shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë në rast se ai nuk është në gjendje të qeverisë.

Deri tani Partia Demokratike nuk ishte shprehur publikisht për mundësinë e shkarkimit të presidenti Trump. Por deklarata e senatores Warren, e cila konsiderohet si një nga alternativat e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ka dhënë dritën jeshile për hapjen e debateve në frontin liberal sidomos në prag të zgjedhjeve të mes mandatit.

Ndërkohë bashkëpunëtorët kryesorë dhe ministrat e presidentit Trump kanë mohuar mundësinë e të qenit autorë të letrës anonime të publikuar nga New York Times që fliste për një rezistencë të heshtur kundër Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump e konsideroi letrën si tradhti të lartë, ndërsa senatori republikan Rand Paul propozoi që të përdoret testi i të së vërtetës për të zbuluar se cili nga ata që kanë akses në sekretet e shërbimit të inteligjencës në Shtëpinë e Bardhë, ka shkruar letrën anonime.